Tiranë, kapen 10 kg heroinë

02/11/2010 23:40

Në një kontenier që transportonte ushqime në Shqipëri dhe që në momentin e bllokimit kishte të ngarkuar oriz, policia sekuestroi pas disa muajsh përgjime dhe survejime pothuajse 10 kilogramë që dyshohet se është heroinë.

Zyrtarisht askush nga policia e shtetit nuk e konfirmon të saktë sasinë e drogës së gjetur, në një kohë që agjentë të antidrogës po kontrollojnë dhe verifikojnë banesat e 5 shtetasve shqiptarë, me banim në Tirane dhe që janë shoqëruar.

Jo zyrtarisht mësohet se nga 5 të shoqëruarit nuk do të përfundojnë të gjithë në pranga pasi ende nuk është sqaruar roli i secilit pavarësisht se nga zyra kundër krimit të organizuar ka zëra që flasin për hetime që kanë kohë që kanë nisur për këtë linjë droge.

Megjithë rezervimin e zyrtarëve të policisë për të folur për këtë operacion antidrogë, mësohet paraprakisht se kontenieri me targat e Durrësit 5224 C ndodhej i parkuar në zonën e Yzberishtit, ku u krye edhe aksioni i agjentëve antidrogë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policise shqiptare.

Policia e Tiranës konfirmon se ky operacion nuk është drejtuar prej saj, por nga strukturat më të larta kundër krimit të organizuar.

Derisa të përfundojnë verifikimet dhe të saktësohet linja që ndiqte automjeti ku u gjet sasia e lëndës se dyshuar si heroinë, mbetet të besohen burimet që kanë marrë pjesë në këtë operacion, por që si gjithmone deri në daljen e një njoftimi janë jo zyrtare.

Policia pritet të dalë me vonesë në deklaratë zyrtare, pas analizave që po i kryhen lëndës së bllokuar, duke shpresuar që të mos përsëritet ngjarja e disa viteve më parë kur heroina doli se ishte miell misri.

Top Channel