Bursa: Ja kriteret pas heqjes së vizave

01/11/2010 21:55

Drejtuesi i delegacionit të BE-së, Luigi Bursa ka sqaruar në një intervistë për emisionin “Shqip” në Top Channel detajet e heqjes së regjimit të vizave mes BE-së dhe Shqipërisë.

“Zona Schengen përbëhet nga 28 shtete, 25 prej të cilave janë anëtare të BE-së. Liberalizim vizash do të thotë se mund të lëvizësh i lirë. Kusht i rëndësishëm është të kesh një pasaportë biometrike dhe të rrish në vendet Schengen për 90 ditë cdo 6 muaj, për turizëm apo për të studiuar”, ka deklaruar Bursa.

Sipas tij, penaliteti për personat që shkelin këtë afat do të jetë i rëndë. “Për personat që shkelin këtë rregull ndëshkimi do të jetë ndalimi i hyrjes në zonën Schengen për 5 vjet”, ka saktësuar Bursa.

Duke theksuar se heqja e vizave nuk përfshin vende si Anglinë dhe Irlandën, zyrtari evropian ka bërë të ditur se janë edhe disa kushte të tjera që duhen plotësuar për të hyrë në zonën Schengen.

“Kur të futen në zonën Schengen udhëtarët duhet të kenë një pasaportë biometrike dhe biletën e kthimit për në Shqipëri. Gjithashtu, duhet të tregoni se keni mundësi financiare për të qëndruar, apo një hotel ose shtëpinë e një miku për t’u strehuar”, ka shtuar Bursa.

Top Channel