Prezantohet “Shqiptari”

30/10/2010 15:00

Pas pjesëmarrjeve të suksesshme në festivalet ndërkombëtare, filmi “Shqiptari” vjen në Tiranë për publikun vendas.

Me regji të gjermanit Johannes Naber, skenar të Andeta Spahivoglit dhe Naber e producent Dritan Huqin, ky film rrëfen kalvarin e një shqiptari, interpretuar nga Nik Xhelilaj, i cili për hir të dashurisë dhe situatave të imponuara nga ambienti ku jeton, detyrohet të emigrojë drejt Gjermanisë.

Një emigrim i paligjshëm në kërkim të parasë, kusht për të mbrojtur dashurinë e tij.

Një aventurë që padashje e përplas me botën e krimit. Filmi ka marrë çmimet speciale të jurisë në Festivalet e Moskës dhe të Prishtinës.

“Fillimisht doja të tregoja historinë e një emigrant në Gjermani. Fillova të kërkoj historinë dhe kuptova se Shqipëria është një vend që në Evropë dinë shumë pak. Menjëherë u dashurova me Shqipëri dhe po punoja vit pas viti. U përpoqa të kuptoja si ndihen njerëzit dhe pse largohen ata”, është shprehur regjisori Johannes Naber.

Personazhi i shqiptarit, Beni, është një karakter me shumë ngjyrime, që e bejnë atë naiv, të dashur, por edhe agresiv e të paskrupullt. Një rol, për të cilin Nik Xhelilaj ka fituar tre çmime si aktori më i mirë në Festivalet e Moskës, Prishtinës dhe Turqisë.

“Personazhi im është një djalë që do të atin, familjen, por fati e përplas që mund të iki dhe të shkojë në Gjermani, me këtë karakter edhe unë si Nik kam pasur mundësinë dhe vullneti që t’i provoja gjërat shumë ndryshe”, tha Xhelilaj.

“Shqiptari” po shfaqet në rrjetin e kinemave “Imperial”.

Top Channel