Raportet e ekspertëve që vizituan për herë të fundit Tiranën në korrik, paraqesin një situatë tjetër nga ajo e vlerësimit përfundimtar të KE-së për liberalizimin e vizave.
Të papublikuara ndonjëherë, këto raporte konfidenciale nxjerrin në pah hallkat e dobëta të të gjithë zinxhirit të monitoruar nga BE mbi përmbushjen e detyrimeve të udhërrëfyesit nga ana e Shqipërisë, si korrupsioni, krimi i organizuar, kontrolli kufitar, roli i prokurorisë, SHISH, mangësitë në administratë apo në proçesin për integrimin e të riatdhesuarëve.
Pas propozimit pozitiv të KE-së dhe votës në PE, TCH zbardh dokumentet që ndikuan në hezitimin e disa vendeve anëtare dhe në skepticizmin e tyre jo vetëm ndaj Komisionit, por edhe ndaj performancës së Shqipërisë.
Dokumenti me kritik është ai mbi luftën ndaj korrupsionit.
Ekspertja e Letonisë risjellë në vëmendje slloganin e kryeministrit Berisha në vitin 2005 për qeverisje me duar të pastra, për të theksuar më pas se sot mungon një vizion i qartë për adresimin e problemit të korrupsionit.
“Ndërsa kryeministri Berisha erdhi në pushtet në 2005-ën me një slogan fushate ‘për duart e pastra’, kjo fushatë ka nevojë të zbatohet dhe të udhëhiqet nga qeveria. Siç thuhet dhe në raportin e fundit të Freedom House për Shqipërinë, ‘ka pak dëshmi të përmbushjes aktuale’, ndërsa i referohet strategjisë anti-korrupsion, raporti, thotë se ‘vizioni i qartë për trajtimin e problemeve që lidhen me korrupsionin mungon në Shqipëri’. Qeveria duhet të tregojë, përmes veprimeve në praktikë, por edhe një komunikimi më aktiv, se ka një plan dhe një luftë efikase kundër korrupsionit, ku të përfshijë personat me influencë dhe anëtarët e partive të ndryshme politike”.
Strategjia anti-korrupsion e Shqipërisë mund të rifreskohet, sugjeron ekspertja, ndërkohë që plani i veprimit, sipas saj, duket se “nuk vlerëson në thellësi rreziqet e korrupsionit dhe të zonave të prirura për korrupsion”.
“Disa objektiva të strategjisë anti-korrupsion nuk janë trajtuar, për shembull, financimi i partive politike, etika publike, zgjedhjet dhe lobimi. Këto janë çështje ndërinstitucionale, që kërkojnë një debat të gjerë politik ose përfshirjen e shoqërisë. Për shembull, reformat e zgjedhjeve apo transparencës në financimin e partive. Kjo është në strategji, por që nuk mbulohet nga planet e veprimit deri tani. Si rezultat, zhvillimet në këto fusha – të sistemit të ri zgjedhor, nisja e debatit për përmirësimin e modelit të financimit të partive – nuk janë raportuar si arritje të luftës kundër korrupsionit”.
Eksperti francez vlereson pozitivisht në përgjithësi luftën ndaj krimit të organizuar. Por në fund të raportit, ai jep 7 rekomandime për autoritetet shqiptare që synojnë rritjen e bashkëpunimit dhe forcimin e rolit të prokurorisë, prefekturave dhe në mbledhjen e të dhënave. Eksperti sugjeron qendrueshmëri të legjislacionit për të bërë të mundur një trajnim efikas të zbatuesve si dhe vlerëson se duhet të sqarohen kompetencat e të shpërndahen mjetet teknike në nivel lokal e rajonal, nën kontroll të rreptë të Prokurorisë së Përgjithshme.
Në raport vlerësohen tre operacionet kundër prostitucionit, një mbi automjetet motorike dhe një për kalimin illegal të kufirit, si dhe përmendet arrestimi i dy shqiptarëve për trafikun e drogës. Çështja e makinave me targa te huaja, sipas ekspertit, krijon terren të favorshëm për aktivitete të paligjshme meqenëse autoritetet vendase nuk kontrollojnë dot pronësinë. Mirëpo për këtë çështje, eksperti thotë se nuk ka vullnet të mjaftueshëm politik. Ai ngre shqetësimin mbi përdorimin e të dhënave personale falë sistemit të vendosur në kufij.
“Nocioni ‘të dhënat kriminale’ është mjaft i gjerë dhe shtrohen disa pyetje, si ligjshmëria e një baze të tillë të dhënash të përgjithshme. Çështjet e mbledhjes se të dhënave dhe përpunimit MEMEX në respekt të legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale, duhet të sqarohet dhe ndiqet më tej. SHISH përmend se lufta ndaj krimit të organizuar është prioritet i qeverisë dhe për pasojë 70% e të gjitha informacioneve të sigurisë për kapjen shkojnë për këtë qëllim. Situata krijon një konflikt potencial me sistemin gjyqësor, pasi krijon përshtypjen se SHISH mund të vendosë mbi mundësinë për të informuar gjyqësorin mbi keqbërës potencial të krimit të organizuar”.
Konfiskimi i aseteve kriminale është analizuar nga një ekspert i Britanisë së Madhe.
“Zyra per regjistrimin e pasurive të paluajtshme luan rol të rëndësishëm në proçesin identifikues të pasurive deri në konfiskimin e tyre. Për fat të keq, eksperti nuk u impresionua prej tyre. Ata duket se thjeshtë administrojnë proçesin dhe lënë agjencitë e tjera që të zgjidhin çdo lloj problemi që ngrihet. Ata ulën në Komitetin Konsultativ Qeverisës për luftën ndaj krimit të organizuar, por dyshoj nëse ka ndonjë vlerë ky anëtarësim”.
Eksperti ka biseduar me gjyqtarët për ligjin antimafia dhe proçedurat mbi konfiskimin e aseteve. Ai thotë se ligji i ri, sipas gjykatësve, shmang konfuzionet e ligjit paraardhës të 2004-ës.
Zyra tatimore vlerësohet se nuk jep informacion vullnetar, përtej asaj çfarë i kërkohet. Ka bashkëpunim me policinë e prokurorinë, por pak “vetëdije” sipas ekspertit dhe trajnimi mbetet çështje problematike.
“Krimi i ‘pastrimit të parave’ ende nuk është vepër penale në Shqipëri, pavarësisht ngritjes së një grupi pune për këtë çështje. Vetë-pastrimi i parave, si një vepër penale duhet adresuar dhe kodifikuar, nëse Shqipëria është pasqyrë e asaj çfarë po ndodh në pjesën tjetër të Europës dhe në botë”.
Eksperti shpreh merakun e tij mbi zbatimin e ligjit antimafia nga disa prokurorë.
“Pyetja kishte mbi urdhrin e prokurores së përgjithshme, datë 18 maj 2010, lidhur me proçedurën e re për identifikimin e pasurive nga ana e ekipeve të përbashkëta hetimore dhe ato referuar dëshmive të tyre për prokurorët e krimeve të rënda për hetime të mëtejshme. Prokurorët nuk dukej se kishin dijeni rreth kësaj procedure. Eksperti nuk përjetoi ndonjë mentalitet “Silo” gjatë vizitës së tij të shkurtër në Shqipëri, por ai mendon se kjo mungesë e të kuptuarit “mund të jetë tregues i mentalitetit ‘Silo’ në mesin e disa Prokurorëve”.
Analiza mbi mentalitetin “Silo” përdoret nga eksperti për të treguar që mungesa për shpërndarjen e informacionit zvogëlon efikasitetin dhe kontribuon për dështimin e misionit të ligjit nga Prokuroria.
“Urgjentisht duhet udhëzim zyrtar për zbatimin e të gjitha ligjeve të reja nga zyra e prokurorit të përgjithshëm, nëse nuk duam që ligji i ri të humbasë qëllimin original nga mirëkuptimi i prokurorëve të keqinformuar”.
Për integrimin e të riatdhesuarëve, vlerësohet se strategjia parashikon një mekanizëm të posaçëm për promovimin e integrimit të personave të kthyer. Mirëpo nuk parashikohet prezenca e një stafi të specializuar në pikat e kalimit kufitar për t’u marrë me nevojat individualë të të kthyerve, ku duhet të ketë një punonjës social për njerëzit në nevojë, apo femijët e pashoqëruar.
Në zyrat e punësimit rajonal, në Vlorë dhe Tiranë, eksperti grek ka vërejtur një numër shumë të ulët të kërkesave nga të riatdhesuarit, ndaj sugjeron që të bëhen fushata sensibilizuese. Mungon mekanizmi i monitorimit për të ndjekur shërbimin ndaj personit të kthyer në Shqipëri dhe nuk ka një diskriminim pozitiv për të favorizuar të kthyerit, ndryshe nga qytetarët e tjerë.
“Mosdiskriminimi pozitiv, gjithësesi, nuk duhet të çojë në injorimin e vështirësive specifike që ballafaqon i riatdhesuari, çfarë kërkon një përqasje me individuale dhe vlerësim të nevojave”.
Në këtë raport jepen 8 rekomandime që synojnë një shërbim më të motivuar për nevojat e integrimit të të riatdhesuarëve.
Të gjitha vërejtjet e rekomandimet do të jenë në fokusin e monitorimit të mëtejshëm të vendit edhe pas liberalizimit të vizave, në rast të një vendimi pozitiv në 8 nëntor nga BE.
Top Channel