Tefta Tashko Koço, talenti që u shua para kohe

28/10/2010 18:55

Një zë i mrekullueshëm që na ka shoqëruar dhe na shoqëron, si për të na kujtuar se, “emocioni” nuk është koncept që “ka të bëjë me kohën”, por me talentin.

Ky zë i përket sopranos Tefta Tashko Koço, një nga figurat më të rëndësishme të intepretimit vokal në Shqipëri, që me interpretimin e saj të bukur dhe autentik, gjatë karrierës së saj të shkurtër, “ngriti” një talent të jashtëzakonshëm të ekzekutimit, si në muzikën lirike qytetare, ashtu edhe në repertorin e pasur të muzikës klasike operistike.

 
E lindur në Egjipt në vitin 1910, vajza e patriotit të shquar Thanas Tashko dhe e Eleni Zografit u përfshi që në fëmijëri në jetën artistike të Korçës, e edukuar muzikalisht në Paris dhe Romë. “Bilbili shqiptar” i dhuroi publikut në atë kohë “emocione të  papërshkrueshme”.

 
Inçizmet e para muzikore Tefta Tashko i bën në vitin `30 të shekullit të kaluar, pranë shoqërise diskografike “Paté”- Paris, e përfshirë në grupin e këngëtarit të shquar të iso-polifonisë, Neço Mukon, ndërsa koncerti i saj i parë  si këngëtare  profesioniste, shënohet pesë vjet më vonë, me rikthimin e saj në Atdhe, të cilin ajo e dha në shumë qytete të Shqipërisë.

 
Krahas arieve lirike të autorëve të shquar botërorë si: Moxart,  Shubert, Verdi, Donixeti,  Belini, Puçini, në këto turne nëpër ‘Shqipërinë e varfër” u kënduan edhe këngët popullore shqiptare, si “pjesë integrale e kulturës muzikore popullore shqiptare”. Repertori i saj përbëhet nga gati 90 këngë nga të gjitha qytetet, 36 prej të cilave “i regjistroi” në Paris dhe Milano, në pllaka gramafoni , e që kemi mundësi t`i dëgjojmë “me ëndje edhe sot.

 
Tefta jetoi në periudhën kur “kënga lirike qytetare huazoi nga arti vokal i kultivuar, lehtësinë e nevojshme për të prodhuar linja melodike e frazime elegante” proces ky që krijoi gjininë në fjalë në vitet 1930 dhe që do të vazhdonte edhe më vonë, falë përkushtimit dhe interesit të këngëtarëve si Tefta Tashko Koço apo krijuesve të asaj epoke.

 
“Kroi i fshatit tonë” me muzikë të Kristo Konos dhe poezi të Lagush Poradecit apo “Kur më vjen burri nga stani”, “Zare trëndafile”, Të dua, moj goc‘ e vogël”, Bilbil çapkëni”, “Qante lulja lulen”,  janë disa prej krijimeve  popullore, nga të cilat Tefta me zërin e saj të rrallë, “diti të nxirrte ndjenjën e thellë që populli kishte shkrirë në të”.

 
Gjate Luftës së Dytë Botërore, thuhet pa frikë se “ Tefta Tashko-Koço ishte përfaqësuese më e denje e drejtimit operistik”, pasi kënga lirike qytetare konceptohej nga ajo si “arie apo ariozë, ajo synonte të arrinte atë lloj frymëzimi melodik, sa të krijonte imazhin e tingullit dhe ritmit muzikor të këngës”.

Mbarimi i Luftës së dytë Botërore do ta gjente Tefta Tashkon duke kënduar në Operan e Beogradit, ku intepretoi me shumë sukses rolin e Mimisë tek “Bohema” e Puçinit dhe atë të Rozinës nga opera “Berberi i Seviljes” e Rosinit.

 
U vlerësua nga kritika e huaj si “soprano lirike me shkollë të përsosur, timbër të qartë e të shëndoshë, intonacion të pastër si kristali, me teknikë të përsosur vokale, veprime të matura e frazim plot shije”. Këto, mjerisht ishin sukseset dhe gjurmët e fundit. Tefta Tashko Koço u shua nga një sëmundje e pashërueshme në moshë shumë të re, vetëm 37 vjeç duke lënë një boshllëk në muzikën shqiptare, por një “thesar trashëgimie të këngës lirike” si dhe djalin e saj Eno Koçon, një muzikant dhe dirigjent i njohur sot në Shqipëri.

FOTO GALERI
3/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA