Shkëlqim Kaleshi, nuk është pacient i këtij spitali siç mund të shihet. Prej 14 vitesh, ai është kthyer në banor të këtij pavioni sëmundjesh infektive. E bashkë me të edhe gruaja dhe dy fëmijët.

Shkëlqimi u prek nga sëmundja  e poliomelitit në vitin 1996 dhe tani arrin të mbijetojë vetëm nga kjo aparaturë e cila i siguron frymëmarrjen.

“Ky është një rast i rrallë në historinë e mjekësisë shqiptare dhe atë botërore. Ka 14 vite që jeton familjarisht në spital”, shprehet një nga mjekët e spitalit infektiv.

Shkëlqimi ka nevojë për asistencë 24-orëshe për shkak të gjendjes shëndetësore të tij.

“Nuk lëviz nga qafa e poshtë, nuk lëviz dot duart, këmbët dhe muskulaturën që merr pjesë në frymëmarrje. Është tërësisht në varësi të aparatit”, vazhdon mjeku.

Për shkak të aparaturave që e mbajnë në jetë Shkëlqimin dhe kujdesit që duhet të tregojnë për të, familja e tij është shpërngulur në këtë dhomë të spitalit infektiv.

“Vështirësia e jetës në spital nuk përshkruhet me fjalë, duhet ta jetosh që ta dish. Këtu është një dhomë e vogël dhe fëmijët kanë nevojat e tyre”, rrëfen bashkëshortja e Shkëlqimit.

Fëmijët u bënë banorë të përhershëm të spitalit, sapo kaluan gjashtë vjeç, kur filluan shkollën. Për t’i kontrolluar detyrat dhe për t’u kujdesur për ta, Fatbardhës, nënës së tyre,  i duhej t’i kishte pranë edhe pse në ambiente që rrezikojnë shëndetin e tyre.

“Fëmijët nuk kanë vend ku të mësojnë, sëmundjet e shumta në infektiv përbëjnë rrezik për ta dhe janë rritur duke dëgjuar ulërimat e të afërmve të pacientëve që vdesin. Në këto kushte jetojmë…”, thotë Fatbardha.

Kjo dramë e familjes nuk lë pa prekur dhe stafin mjekësor të Infektivit që është familjarizuar tashmë me banorët e përhershëm të tij.

“Fëmijët e Cimit u rritën këtu, në këto kushte. Janë njerëz shumë të mirë, nuk bezdisin”, shprehet një nga infermieret.

Megjithëse në spitalin infektiv nuk lejohet dhe madje është e rrezikshme të qëndrosh më shumë se për një vizitë të shpejtë me masa mbrojtëse, mjekët nuk mund t’i ndalojnë fëmijët dhe bashkëshorten e pacientit të tyre që të mos jetojnë këtu.

Rasti i Shkëlqimit është një rast unik në Shqipëri dhe këtu nuk ka klinika të veçanta ku të trajtohen pacientë të tillë. Madje ky është rast tipik ku i sëmuri s’duhet të trajtohet në pavionë të zakonshëm, e aq më tepër të infektivit.

“Infektivi s’është i përshtatshëm, sepse i sëmuri duke qenë vulnerabël rrezikon të preket dhe nga sëmundje të tjera”, shprehet mjeku.

Por cila është zgjidhja? Për Fatbardhën, e vetmja rrugë për t’i dhënë fund kalvarit të familjes së saj është sigurimi i një banese dhe paisjeve që e mbajnë në jetë të shoqin sa më pranë spitalit ku ajo të ketë mundësinë të sigurojë ndihmën e bluzave të bardha kur t’i nevojitet. Një apel që e drejton nga mikrofoni i “Pasdites në Top Channel”: “Duhet të marrë shteti një vendim të posaçëm që të kemi një shtëpi tonën dhe aparaturat që nevojiten.”

Pavarësisht vuajtjeve dhe dëshirës për një jetë dinjitoze, jeta e kësaj familjeje nga Shëngjergji, një zonë e thellë e Tiranës, nuk ka asnjë zgjidhje. Fëmijët, që sot janë rritur e jetojnë moshën e adoleshëncës në spital, luftojnë çdo ditë me imunitetin e tyre për t’u mbijetuar viruseve; ndërsa Shkëlqimi, i bën çdo ditë sfidë fundit fatal, që në rastin e tij do të mjaftonte vetëm t’i fikje një buton elektronik.

FOTO GALERI
3/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA