Reforma zgjedhore, PD propozon tryezë

27/10/2010 15:30

Pas tryezes së të premtes për reformën zgjedhore, Partia Demokratike ka propozuar mbledhjen e një tryeze të dytë të partive parlamentare, këtë herë në nivel ekspertësh.

Per ta realizuar takimin e dyte per reformen zgjedhore, kryetari i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, u ka derguar nje ftese te gjithe homologeve te tij, perfshire edhe zotin Gramoz Ruci. Ne letren qe eshte bere publike,  Astrit Patozi, njofton zotin Ruci per kohen e takimit te premten dhe i kerkon qe te konfirmoje emrat e perfaqesuesve te Partise Socialiste per kete takim.

Nga ana e saj, Partia Demokratike ka ngarkuar Ilir Rusmalin si perfaqesues te interesave te saj ne nivel politik, si dhe ekspertet e nevojshem. Ne fund te letres, zoti Patozi ben edhe nje urim per mbarevajtjen e tryezes se dyte per te finalizuar sa me shpejt misionin e saj te rendesishem.

Kur ende nuk ka nje qendrim te ri per tryezen e re te thirrur nga Partia Demokratike, ambasadori i OSBE-se, Eugen Wollfarth, u kerkoi partive te vazhdonin punen per reformen zgjedhore, sipas rekomandimeve te ODIHR-it, per te arritur standardet me te larta per zgjedhjet lokale.

Ambasadori OSBE-së porpozoi ndarjen e punës në dy etapa. “1: Gjysma e parë të zhvillohet tani, në lidhje me zgjedhjet e qeverisjes vendore; 2: Gjysma e dytë për reformën e zgjedhjeve parlamentare të zhvillohet menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve të qeverisjes vendore. A ekziston rreziku që një diskutim për reformën zgjedhore mund të përfundojë duke i përzierë të dyja çështjet? Po, mendoj që ndoshta ekziston. Gjithçka që mund të marr me mend është që klasa politike është gjithashtu në dijeni të kësaj gracke dhe do të gjejë mënyra të përshtatshme për të mos rënë në të”, ka propozuar Wollfarth.

Ambasadori i OSBE-së e beri këtë propozim në një tryezë që organizoi shoqëria civile për të marrë mendimet e ekspertëve në cështjet e administrimit të zgjedhjeve për t’ia përcjellë më pas politikës, meqë shoqëria civile është pjesë e tryezës për reformën zgjedhore.

Por përvec propozimit për mënyrën e organizimit të punës, Wollfarth kishte edhe një apel për forcat politike.

“Të mos harrojmë që kanë mbetur vetëm 28 javë nga dita e zgjedhjeve në maj të vitit të ardhshëm dhe “ora zgjedhore”, le të themi, ka nisur tik-takun me një ritëm të shpejtë dhe alarmues. Zgjedhjet për qeverisjen vendore do të zhvillohen dhe duhet të zhvillohen në mënyrë profesionale, ku të plotësohen të gjitha angazhimet ndaj OSBE-së dhe jo vetëm disa prej tyre”, ka deklaruar Wollfarth.

“Detyra e këtij vendi, në këndvështrimin tim, është që të kthejë faqen e historisë së zgjedhjeve problematike në Shqipëri, në mënyrë përfundimtare dhe të pakthyeshme. Tani është koha që të gjitha partitë politike të vendosin në plan të parë interesin kombëtar dhe të përmbushin këtë detyrë të rëndësishme. E premtja e kaluar ishte një fillim i mbarë. Por është vetëm një fillim. Koha po ecën, zgjedhjet po afrohen dhe nuk ka kohë për të humbur”, ka shtuar ai.

Top Channel