Kjo është vatra e një familjeje rome prej 3 anëtarësh. Majlinda është kryetarja e shtëpisë, e cila në rolin e nënës dhe burrit të munguar prej vitesh, rrit dhe edukon me sakrifica fëmijët e saj, Emrah dhe Adelina.

Në kushte aspak të favorshme, kjo nënë 33-vjeçare është kthyer në një model për komunitetin e saj. Të gjithë e admirojnë për përpjekjet që ajo bën, në mënyrë që fëmijëve të saj të mos u mungojë as mirëqenia fizike dhe as shkollimi, që për këtë komunitet është një problem shumë aktual.

“Me boce në kurriz shkoj shes rroba që të ushqej kalamajtë”, shprehet Majlinda.
Cdo ditë Majlinda merr rrugët e fshatrave, në emër të një sacrifice të madhe. Vetëmohimi e bën atë një përjashtim për komunitetin rom.
“Ndonjëherë kemi, ndonjëherë s’kemi. Me sakrifica. Kur është shi nuk dal. Nuk u’a plotësoj të gjitha kushtet fëmijëve, mezi ua dal me sakrifica”, tregon ajo.

Por, përpjekjet e pashterura të kësaj nëne rome të braktisur nuk shkojnë vetëm për bukën e gojës. Ëndrra më e madhe në shpirtin e saj, mbetet shkollimi i djalit 14- vjeçar dhe vajzës 12-vjeçare, për të cilët është gati të sakrifikojë gjithçka mundet.

“Me mësime janë shumë mirë më thonë. Të vazhdojnë shkollën, nuk i nxjerr nga shkolla dhe me sa mundësi kam do t’i mbaj”, thotë nëna e dy fëmijëve.

Emrah-u dhe Adelina, janë përfshirë me mjaft vonesë në shkollim. E kjo nuk e ka bërë nënën e tyre të dorëzojë shpresat. Punonjësja sociale që i ka ndjekur që në ditët e para na tregon për vështirësitë e riintegrimit të tyre.

“Majlinda nuk kishte mundësi ekonomike për t’i sjellë në shkollë dhe pasi u bind, Emrah filloi shkollën në moshën 10-vjeçare. Përkushtimi i jashtëzakonshëm i kësaj nëne na bëri që të merrnim në shkollë edhe vajzën e saj”, deklaron ajo.

Dhe duket se sakrificat e nënës Majlindë nuk po shkojnë dëm. Madje fëmijët e saj janë tashmë një shembull suksesi brenda klasave respektive.

“Të dy fëmijët e frekuentojnë shkollën dhe dua të vecoj Emrahn i cili është në klasën e pestë dhe është mirë me mësime dhe shumë i sjellshëm. Edhe Adelina është mirë me mësime, megjithëse jo si vëllai. Me nënën e saj kemi biseduar për problemin e fejesave në moshë të re që është traditë në komunitetin rom dhe ajo është bindur që këto lidhje janë gjithmonë të dështuara”, tregon punonjësja sociale.

Tek këta fëmijë që rriten duke u shkolluar, gruaja rome ndërton ëndrrën që brenda vetes s’e pa kurrë të bëhej realitet.

“Për jetën time që jam martuar 13 vjeç, nuk kam fituar ndonjë gjë të madhe. Unë fëmijët e mi nuk i martoj të vegjël. Të vazhdojnë shkollën. Të marrin shkollat e larta po mundën, ku janë më të mirat të shkojnë”, përfundon Majlinda.

Një jetë e paracaktuar nga përkatësia racore dhe sociale por që mund të ndryshohet të paktën për fëmijët e saj. Dje këta fëmijë ishin dy individë të paidentifikuar, ndërsa nesër do të jenë qytetarë të respektuar të një shoqërie në sytë indiferentë të së cilës, ata u ngritën mbi këmbët e tyre për të ecur…

FOTO GALERI
1/3

Top Channel