Duke përfituar nga samiti ndërkombëtar kushtuar ndryshimeve klimatike të Mesdheut në Athine, kryeministri grek Papandreu dhe homologu i tij turk Taip Erdogan kanë zhvilluar një takim personal dy orësh dhe kanë theksuar më pas në një konferencë të përbashkët shtypi, përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe aq të përfolura.
Por të dy kryeministrat kanë pranuar se çështjet delikate si ajo qipriote apo përcaktimi i kufirit ajror dhe detar, që kanë krijuar shpeshherë dhe armiqësi në dekadat e fundit midis Athinës dhe Ankarasë duan ende kohë të zgjidhen.
“Dua të theksoj se ne dëshirojmë që marrëdhëniet midis dy vendeve të vazhdojnë dhe të jenë marrëdhenie të bazuara në themele të forta dhe tek besimi”, tha kryeministri turk Erdogan.
Papandreu dhe Erdogan duket se kanë rënë dakord për zbatimin e një iniciative të përbashkët, tepër të rëndësishme për Athinën, atë të luftës kundër fluksit gjithnjë në rritje të emigrantëve ilegale që vijnë nga Turqia drejt Greqise dhe Europës.
“Ne vendosëm që iniciativa e përbashkët, në bashkëpunimin midis dy vendeve, por edhe të Bashkimit Europian, të jetë më sistematike, në mënyrë që të arrihen rezultate shumë më të mira me problemin që është krijuar nga fluksi i emigrantëve dhe refugjatëve që vijnë për në Greqi dhe në Europë”, tha kryeministri grek, Jorgo Papandreu.
Vetëm vitin e fundit numri i emigrantëve të paligjshëm që hyjnë nga Turqia në Greqi është shtuar me 90% ose e thënë ndryshe çdo ditë futen në tokën greke nga Turqia mbi 200 emigrantë nga Azia, Lindja e Mesme dhe Afrika. Sipas raportit vjetor të forcës detare ndërkombëtare në detin Egje, Frontex, Greqia ka pranuar gjatë dy viteve të fundit mesatarisht 80% të emigrimit ilegal në gjithë kufijtë e BE-së.
Top Channel