Kush e shkaktoi krizën institucionale në Kosovë? Kjo është pyetja që merr përgjigje të ndryshme nga dy partitë politike që deri para një jave ishin aleatë në qeverisje, të cilat edhe gjatë ditës së premte kanë shkëmbyer batuta në distancë lidhur me fajtorin.

Të enjten në PDK thanë se fajtorët e krizës janë në selinë e LDK-së, por sot kreu i kësaj partie, Fatmir Sejdiu është kundërpërgjigjur duke thënë se është pikërisht PDK që bart peshën e fajit.

“Ka patur një qëndrim të shprehur jo parimor në seancën për privatizimin e PTK-së”, tha Sejdiu. Por nuk ka munguar sërish reagimi i PDK-së, që ka cilësuar selinë e LDK-së si vatër të përgjegjësisë.

“Kjo krizë e thellë institucionale ka emër dhe adresë. Emri është LDK, mentaliteti i nostalgjisë për të shkuarën, ndërsa adresa është selia e vjetër e LDK-së, ku janë strehuar fajtorët e kësaj krize”, ka deklaruar Besim Beqaj, anëtar i PDK-së.

Në anën tjetër, LDK ritheksoi qëndrimin se mbështet 13 shkurtin e 2011-ës për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Por, nuk e përjashtojn as mundësinë e përkrahjes së zgjidhjeve tjera kushtetuese.

“Do të shohim zhvillimin e mëtejshëm se cfarë do të ndodhë, por cdo gjë duhet të bëhet në përputhje me Kushtetutën e vendit”, ka shtuar kryetari Sejdiu.

Ndërkohë në pritje të partive, edhe ushtruesi i detyrës së presidentit ende s’e ka zgjidhur dilemën nëse duhet të pritet e diela e dytë e shkurtit të ardhshëm për të votuar, apo të shkohet me zgjedhje të jashtëzakonshme brenda 2010-ës.

“Ekziston një disponim i grupeve parlamentare, ndoshta në mënyrë të vecantë të opozitës që të përshpejtohet kjo krizë institucionale. Deri tani nuk janë krijuar kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme”, ka thënë ai.

Sipas Krasniqit, nëse mocioni i mosbesimit nuk kalon, atëherë kryeministri kompleton qeverinë deri në zgjedhjet e shpallura të 13 shkurtit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA