Van Rompuy vetëm disa orë në Tiranë

20/10/2010 09:10

Presidenti i Këshillit Europian, Herman Van Rompuy, do të jetë sot për vizitën e tij të parë në Tiranë që nga marrja e detyrës në dhjetor të vitit 2009.

Një vit në këtë post, i cili përkon me zhvillimin e krizës politike shqiptare, që për këtë arsye pritet të jetë pjesë e diskutimeve mes tij dhe përfaqësuesve të politikës shqiptare.

Në një farë mënyre, mesazhe të kësaj natyre janë bërë të njohura edhe në njoftimin e vizitës, e cila është aktualisht ndër të paktat e funksionarëve të komunitetit europian që pas rezolutës së korrikut 2010.

“Vij në Shqipëri me një mesazh inkurajimi. Inkurajim për të vazhduar reformat dhe rolin pozitiv që vendi juaj luan në rajon. Stabiliteti dhe integrimi europian i vendit mbetet i rëndësishëm për Bashkimin Europian”, deklaron Van Rompuy në njoftimin e tij.

Po në të njëjtën deklaratë bëhet e ditur se ai do të zhvillojë takime me Presidentin e Republikës Bamir Topi dhe Kryeministrin Sali Berisha, si dy zyrtarët më të lartë të shtetit. Bie në sy fakti se Presidenti i Këshillit Europian nuk ka parashikuar një takim me kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama, që është edhe një nga protagonistët dhe aktorët e interesuar formalisht në zgjidhjen e krizës politike shqiptare. Kjo e fundit si manifestim i konfliktit politik mes palëve fiton një përmasë tjetër në kontekstin ballkanik që është edhe qëllimi i turit rajonal të Van Rompuy.

Si tipologji e sjelljes politike në Ballkan dhe mentalitet përcaktues në vendimmarrje, kriza dhe konflikti nga kjo pikëpamje kanë ngritur dyshime mbi kufirin natyral të qytetërimit perëndimor. Të paktën zyrtarisht këto dyshime nuk janë pjesë e gjykimeve të Presidentit aktual të KE-së, që e cilëson Ballkanin Perëndimor dhe rrugëtimin e tij drejt BE-së si “fati i pashmangshëm europian”. “Projekti europian gjithmonë është udhëhequr nga dëshira për paqe dhe bashkim. Unë besoj se në shtëpinë europiane ka vend për Ballkanin Perëndimor. Le ta quajmë këtë ‘fati europian’. Jam i sigurt që një ditë ky fat i pashmangshëm europian do të përmbushet për të gjitha këto vende. Unë do t’i bëj ftesë Këshillit Europian të reflektojë mbi këtë çështje në një të ardhme të afërt”, është shprehur presidenti Van Rompuy një ditë para vizitës së tij në Shqipëri. Dhe pse në krahun e “hapjes drejt Europës Juglindore” deklarimi i tij përcjell dilemat që karakterizojnë opinionin europian lidhur me zgjerimin e BE-së drejt Lindjes, ashtu edhe për sa i përket ‘hapjes së kufijve’ përmes lëvizjes së lirë. Mjafton të kujtohet këtu se në momentin e vendimit për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët serbë dhe malazezë dhe përjashtimit nga kjo e drejtë e shtetasve shqiptarë dhe boshnjakë, nuk munguan komentet dhe angazhimet konkrete për të zgjidhur këtë konflikt të BE-së me atë që për shkak të fesë njihet prej shumëkujt si pjesë e huaj e qytetërimit Perëndimor. Me këtë parapavijë Van Rompuy vjen sot në Shqipëri në kuadër të turit të vet në Ballkanin Perëndimor që është edhe kufiri i shtyrë i Europës politike. Përveç vendit tonë, në këtë vizitë bëjnë pjesë edhe vende të tjera si Mali i Zi, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë dhe Bosnja e Hercegovina. Ndërkaq në Bruksel, Komisioni Europian po mbyll opinionet për statusin kandidat për Malin e Zi dhe Shqipërinë. Në këtë linjë, Podgorica është më e favorizuar, edhe pse proceset integruese i ka cikluar pas nesh, ndërsa për Shqipërinë, zyrtarë të Brukselit kanë theksuar se qëndrimi pritet të jetë i kushtëzuar, që do të thotë se statusi i vendit kandidat do të çelet vetëm nëse përmbushen kushtet politike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA