Moisiu: Duhen zgjedhje të parakohshme

20/10/2010 09:00

Ish-presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, është mjaft i qartë në propozimin e tij për zgjidhjen e krizës në vend.

“Nëse politika nuk arrin dot t’i zgjidhë problemet, atëherë ajo duhet t’i drejtohet popullit”, deklaroi Moisiu në një intervistë ekskluzive për “Shqip”.

Ish-kreu i shtetit, i cili edhe pas mbylljes së mandatit të tij ka qenë aktiv në zhvillimet e vendit, bën thirrje për respektimin e Kushtetutës nga të gjithë. Ndërkaq, z.Moisiu thekson se politika ka gjithnjë e më pak respekt për institucionin e Presidentit.

Zoti President, kohët e fundit ka nisur hapur fenomeni i lëvizjes së deputetëve, madje ka dhe akuza për hapje “tenderësh”. Në ç’këndvështrim duhet parë ky fenomen dhe ku pritet të na çojë?

Mua më duket se ky fenomen, i cili nuk është i panjohur te ne, tani ka marrë disa përmasa të cilat mund të çojnë edhe në pasoja të thellimit të mëtejshëm të krizës politike. Kjo tregon që kriza jonë ka arritur kulmin e saj dhe se këto fenomene janë pikërisht prodhim i kësaj krize kulminante të politikës shqiptare.

E them këtë pasi nuk ka arsye tjetër që mund të sjellë si pasojë që deputetë të ndryshëm të kalojnë sa në njërin krah te tjetri. Nëse politika jonë do të funksiononte normalisht, ashtu sikurse në të gjitha vendet demokratike, nuk kishte pse të ndodhnin fenomene të tilla.

Dhe kur kriza arrin disa maja, të cilat japin edhe prodhime të tilla siç është ky që përmendëm, unë gjykoj se duhet të kërkojmë rrugëzgjidhje urgjente. Në këtë rast mendoj se rrugëzgjidhja do të ishte që politika t’i drejtohet popullit, t’i japë mundësi atij të thotë fjalën e tij.

Një situatë e tillë sikurse është kjo aktualja, kur shteti nuk funksionon në rregull, kur jeta parlamentare pothuajse është bllokuar, kur asnjëra palë nuk mendon të hapë rrugë, kur nga njëri krah te tjetri kalohet lehtësisht, kur dëgjohen akuza të ndërsjella të paimagjinueshme, tregon që politikanët kanë humbur besimin e njëri-tjetrit. Por kjo njëkohësisht do të thotë se politika është shkëputur nga populli, nga interesat, nga hallet, nga mendimet e tij dhe në një gjendje të tillë normalisht, detyrimisht del nevoja që politika të ballafaqohet me popullin në kutitë e votimit.

Ky ballafaqim mund të jetë edhe përmes zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme?

Unë mendoj se në këtë situatë që është krijuar, e cila nga dita në ditë po mahiset, kur çdo ditë dëgjojmë gjëra të padëgjuara dhe që më parë as nuk i shkonim dot nëpër mend, në këto kushte zgjedhjet e parakohshme do të ishin zgjidhja më e drejtë dhe më e arsyeshme.

Të shkosh në zgjedhje të parakohshme nuk është ndonjë kënaqësi e madhe, por edhe nuk është fundi i botës. Vetëm ne shqiptarët, nuk e di pse, trembemi nga zgjedhjet e parakohshme, megjithëse edhe ne i kemi pasur ato në 1992, një vit pasi bëmë zgjedhjet parlamentare në 1991.

Po të shikosh, jo vetëm në Europë, por edhe në rajon, vihen re raste të zgjedhjeve të parakohshme.

Intervisten e plote mund ta lexoni ne numrin e sotem te gazetes “Shqip” ose ne faqen zyrtare gazeta-shqip.com.  

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA