Nuk na është dashur të shkojmë deri në Tropik për të vizituar këtë pemë të rrallë për Mesdheun.
Këta drurë bananesh i kemi gjetur vetëm 8 km nga qendra e Tiranës. E rrallë, por jo e pamundur për kultivuesin e tyre, që me këtë pemë frutore ka dashur t’ju bëjë të gjithë të njohurve një sfidë.
Jemi në Farkë, në bahçen e shtëpisë së Hamit Fushës. Një njeri, i cili si rrallë ndodh ka bashkuar përmes bimësisë Mesdheun dhe Tropikun. Këtu i gjen të gjitha, nga agrumet, deri tek banania e Afrikës së largët. Hamiti tregon: “Më tepër kam qejf pemët që kanë gjethe në dimër. Kjo nuk ka por e mora si pemë të rrallë.
Kryelarta, pemët 7- vjecare që tashmë i kalojnë 6 metrat, e kanë fituar sfidën ndaj tokës që nuk ofron kushte ritjeje si në shtëpi. Megjithatë, mungesa e klimës së përshtatshme ka kushtëzuar rritjen e frutit që në këtë kopësht mbetet vetëm një simbol.
“I ngjan kallirit të misrit, por i fsheh frutat dhe i lëshon si rrush. I rrit sa gishti, jo më tepër. Hahen, por s’kanë shije. Me tepër i ngjan vedenit të papjekur,” shton Hamiti.
Megjithatë, Hamiti thotë se e ka fituar sfidën e tij me pemën që prodhon frute, që deri më sot s’i ka pjekur kurrë. “Më tepër e mora si simbol dhe thashë të bëjë banane. Familja më thoshte s’do bëjë, une thosha do bëjë. Ajo bëri dhe Zoti ma plotësoi dëshirën. Thjesht e mbaj si simbol, meqë është edhe pema me gjethet më të gjata në botë.”
Përveç së gjithash, pemët e bananes mes larmisë së drurëve frutorë mesdhetarë, janë kthyer në objekt krenarie për këtë dashamirës të ekologjisë. “Jo se do mburrem, se çdo lagje e Tiranës e ka nga një , por kjo e imja është më e madhja. Ishte vetëm një kur e solla, pastaj u bënë 40 copë. I ka bërë hyzmet vetes. Unë s’para i kam bërë.”
Ëndrra që Hamiti ka ndërtuar mbi pemën tropikale nuk ndërpritet këtu. Ai dëshiron shumë që një ditë druri shtatlartë t’i finalizojë frytet që formon çdo vit, e ato t’i shijojë gjithë familja. “Shpresoj që t’i bëjë më të mëdha frutet, jo sa gishti. Disa thonë po ta thurësh ta bësh si serë do të rritet. Po ashtu i humb bukuria”, shton Hamiti. “Do ta thur me gurë vetë gjysmë metri.”
Banania është pemë autoktone e Azisë Juglindore. Por, vendin e dytë në kultivimin e kësaj bime e ze Afrika. Kjo pemë popullon gjithë zonën tropikale dhe rritet në të paktën 107 vende. Kultivuese, ndonëse e pashpresë për prodhimin e tyre, prej pak vitesh është bërë edhe Shqipëria, ku më së shumti trungun e kësaj peme e ndesh si një bimë dekorative.
Top Channel