Financat: Riatdhesim kapitaleve shqiptare

18/10/2010 09:00

Hapja e tregjeve dhe liberalizimi i shkëmbimeve tregtare në bazë të interesave që kanë subjektet, u ka dhënë mundësi shumë sipërmarrësve shqiptarë të investojnë në vende të ndryshme të botës.

Bizneset shqiptare kanë vijuar të zgjerohen, po ashtu edhe fitimet, por problemi ishte te forma e taksimit, pasi përveçse duhet të paguanin taksat në vendin e huaj, u duhej të shlyenin sërish detyrime kur fitimet i sillnin në vendin e tyre. Në këto kushte, shumica ka preferuar të mos i sjellë të ardhurat në Shqipëri, duke i mbajtur në vendin e huaj ku kryenin aktivitetin.

Ministria e Financave nuk jep të dhëna rreth bizneseve shqiptare që ndodhen jashtë vendit apo për kapitalet që ata zotërojnë, por thotë se është përgatitur një draft-projektligj që lehtëson procedurën e taksimit dhe mundëson riatdhesimin e të ardhurave që krijohen jashtë territorit shqiptar.

Bëhet fjalë për disa ndryshime në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”, konkretisht neni 26, që sqaron procedurën mbi tatimin e dividentit. “Neni 26, ‘Pjesëmarrjet që përjashtohen nga tatimi mbi fitimin’, mundëson shmangien e tatimit të dyfishtë për subjektet përfitues rezidentë, të cilët zotërojnë një përqindje të caktuar të kapitalit aksionar apo fillestar te një subjekt tjetër rezident që shpërndan divident. Pra tatohet vetëm dividenti dhe jo e ardhura e këtij dividenti”, sqaron Ministria e Financave. Kjo do të thotë se në përcaktimin e fitimit të tatueshëm të një personi rezident, nuk trajtohen dhe nuk merren parasysh si të ardhura për efekt tatimi, dividentët dhe ndarjet e fitimit, kur ato shpërndaheshin nga shoqëritë dhe ortakëritë rezidente që janë subjekte të tatimit mbi fitimin, dhe kur subjekti përfitues zotëron një paketë aksionesh.

“Ndryshimi i propozuar lidhet me trajtimin e dividentit të marrë nga rezidenti nga aksionet që zotëron në një kompani të huaj jo rezidente, në një shtet të huaj. Me propozimin e ndryshimit të nenit, kjo e ardhur do të konsiderohet e patatueshme. Ky propozim synon riatdhesimin e fitimit të kompanive shqiptare jashtë vendit”, thotë ministria, e cila shton se projekti do të miratohet shumë shpejt në qeveri.

Sipas Bankës së Shqipërisë, në 5 vitet e fundit kompanitë shqiptare kanë investuar jashtë në total rreth 120 milionë euro. Edhe pse kjo mbetet një shifër e vogël, të dhënat tregojnë se investimet e bizneseve shqiptare jashtë vendit po vijnë në rritje nga viti në vit, përveç vitit të fundit, ku edhe ky zë ka ndier efektet e krizës.

Sipas Bankës së Shqipërisë, (referuar TCH-së) gjatë vitit të kaluar, të ardhurat që hynë në ekonomi nga investimet e bizneseve shqiptare jashtë ishin rreth 111 milionë euro, gati sa 15 për qind e të ardhurave që hyjnë në vend nga emigrantët. Edhe pse me rënie të fortë në vitin 2009 si pasojë e krizës, të ardhurat e investimeve jashtë janë aktualisht 2 herë më të larta se sa ishin në vitin 2004. Por, pavarësisht kësaj rritje, të ardhurat që vijnë nga investimet e biznesit shqiptar jashtë janë tri herë më të ulëta nga ato që transferojnë bizneset e huaja që kanë investuar në vendin tonë. Sipas bankës, vitin e kaluar, kompanitë e huaja nxorën jashtë Shqipërisë rreth 347 milionë euro në formën e fitimeve të transferuara.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA