PS, padi civile ndaj Jozefina Topallit

13/10/2010 08:20

Deputetët socialistë pritet të depozitojnë padi civile për Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli.

Mbledhja e djeshme e grupit parlamentar ka diskutuar rreth vendimit të fundit të saj, sipas të cilit deputetët që nuk qëndrojnë në sallë pas 60 minutëshit të diskutimit të lirë, që nuk bëhen pjesë e votimit, apo edhe nuk marrin pjesë në komisionet e përhershme, penalizohen financiarisht.

Në fakt ky përkufizim përputhet me aktivitetin politik të kushtëzuar që selia rozë ka vendosur me Parlamentin dhe të cilin Jozefina Topalli po përpiqet ta bëjë sa më të kushtetueshëm të jetë e mundur edhe në drejtim të aspektit financiar. Aspekti antiligjor i vendimit qëndron në disproporcionin e tij në masën ndëshkimore, kur edhe për një mungesë të vetme në komisione, Kryetarja penalizon me një përqindje të konsiderueshme të rrogës.

Në këtë drejtim, në diskutimet e djeshme, deputetët e majtë kanë vendosur që të veprojnë në dy rrugë: e para, të depozitojnë padi civile duke kërkuar zgjidhje të çështjes në rrugë ligjore, dhe e dyta të caktojnë nënkryetarin e Parlamentit, deputetin Namik Dokle, për të kërkuar ndryshimin e vendimit në fjalë.

Ndërkohë bëhet e ditur se për korrigjimin e këtyre përplasjeve apo ndëshkimeve me motiv politik, përfaqësues të PS-së dhe përfaqësues të PD-së në Komisionin e Ligjeve po punojnë për përgatitjen e një drafti të ri për “Statusin e Deputetit”, i cili do të ripërcaktojë kriteret e përfitimit, trajtimit dhe penalizmit të një anëtari të Kuvendit të Shqipërisë gjatë aktivitetit të vet parlamentar.

Përkundrejt këtij angazhimi konvertues, nuk kanë munguar edhe kërkesa të forta në adresë të Jozefina Topallit, e cila ka shënuar rekordin e përplasjeve me deputetët e opozitës qëkurse ka marrë detyrën aktuale. Kështu, edhe dje, deputetë të PS-së kanë risjellë idenë e ngritjes së një komisioni hetimor ndaj Kryetares së Kuvendit për të gjithë menaxhimin që ajo i ka bërë financave të këtij institucioni. Ky propozim është hedhur poshtë nga drejtuesit e mbledhjes, me arsyetimin se një nismë e tillë zhvendos vëmendjen dhe energjitë nga beteja kryesore e PS-së, që është transparenca e zgjedhjeve.

Ndërkohë, një tjetër temë ka qenë edhe procesi politik i nisur ndaj deputetit Ilir Beqja, për të cilin është vënë në rend pune të Këshillit të Mandateve dhe Rregullores mandati i deputetit, për shkaqe të konfliktit të interesave që pretendohet nga Partia Demokratike. Deputetët socialistë janë solidarizuar me kolegun e tyre, i cili pritet të ballafaqohet ditën e premte me kërkesën e Partisë Demokratike për zhveshjen e tij nga përfaqësimi aktual.

Ajo që ka rënë në sy është shmangia e çdo diskutimi mbi çështjen e Gjykatës Administrative, që ka provokuar shumë reagime politike kohët e fundit. Vetëm dy ditë më parë, zv.ambasadorja amerikane, Deborah Jones, ka kërkuar një takim me kreun socialist, Edi Rama, në të cilin është diskutuar qëndrimi i selisë rozë për draftin e rrëzuar një javë më parë. Heshtja e mbajtur dje nga deputetët e saj për një problem që gjithsesi ka kaluar caqet e një shqetësimi politik të ditës, dëshmon se vullneti politik i PS-së mbetet ende i pandryshuar. Nga ana tjetër nuk mund të mohohet se në vetvete kjo është një vendimmarrje që më shumë sesa merret në grup, i serviret atij për diskutim, pasi ekipi drejtues i selisë rozë vendos paraprakisht për qëndrimin që duhet mbajtur për çështje me rëndësi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA