Pa viza nga 15 dhjetori

13/10/2010 20:05

Shqiptarët e pajisur me pasaporta biometrike pritet të lëvizin lirshëm, pa viza, nga data 15 dhjetor e këtij viti.

Burime konfidenciale treguan për TCH se, në rast të një vendimi pozitiv nga Këshilli i Ministrave të Brendshëm në 8 nëntor, botimi në fletoren zyrtare europiane është përcaktuar, paraprakisht, të bëhet në datën 14 dhjetor dhe hyrja në fuqi e tij që në sekondat e para pas mesnate, në 15 dhjetor.

Kjo gjë u vendos në mbledhjen e sotme të sekretariatit që mbulon publikimin e vendimeve të BE-së në fletoren zyrtare.

Ky përcaktim rrëzon atë që thuhej deri më sot, se hyrja në fuqi e vendimit për heqjen e vizave afatshkurtra realizohet 20 ditë pas botimit në fletoren zyrtare, duke ndjekur shembullin e 3 vendeve të tjera të Ballkanit një vit më parë, të cilat përfituan nga regjimi pa viza në 19 dhjetor, një dite pas botimit në atë kohë të vendimit në fletoren zyrtare.

Një lajm tjetër pozitiv është ai që ndikon në përshpejtimin e procesit dhe që ka të bëjë me fillimin e punës së përkthimit në 22 gjuhët zyrtare të Unionit të propozimit legjislativ të Komisionit, menjëherë pas votës në seancë plenare të Parlamentit Europian, të enjten e kaluar, më 7 tetor.

Tashmë, fjala e fundit për finalizimin e këtij procesi i mbetet ministrave të Brendshëm të BE-së, të cilët e kanë përfshirë këtë cështje në takimin e datës 8 nëntor, nën emertimin “falls B”, që nga fjalori teknik i BE-së në shqip përkthehet si, temë e hapur për vërejtje apo deklarata politike nga ato vende anëtare që do ta dëshironin një gjë të tillë.

Top Channel