
Profesor Myzafer Xhaxhiu njeh 8 gjuhë të huaja. Studiuesi i njohur, i cilësuar si helenisti i fundit shqiptar që është ende në jetë, mësimin e gjuhëve të huaja e filloi me latinishten dhe greqishten e vjetër që në gjimnaz dhe e përfundoi me anglishten, të cilën e ka mësuar në mënyrë autodidakte.
“Cdo gjuhë ka vështirësitë e veta, rusishtja është pak më e veshitrë se të tjerat”, shprehet profesori. Ndërsa personaliteti i shquar i mjekësisë shqiptare, Emil Cimbi, i cili njeh rumanishten, anglishten, frengjishten, latinishten, greqishten dhe italishten, kjo e fundit çuditërisht i ka marrë më shumë kohë për t’u mësuar. “Italishtja ka më shumë ortografi dhe njeriu duhet të thellohet”, pohon ai.
E ka mësuar italishten në moshën 11 vjecare, dhe më pas për nevojë të profesionit i është dashur të mësojë dhe shumë gjuhë të tjera. Nuk ndan asnjë prej tyre. Ashtu sikurse prof. Myzaferi, i cili thotë se po të përzgjedhë njërën prej tyre i duket sikur do të hedhë poshtë gjuhët e tjera dhe shkrimtarët e mëdhenj që kanë përfaqësuar ato. Sepse në fakt, sipas tij, me gjuhën që flet dhe studion, njeriu krijon edhe marrëdhënie shpirtërore. “Duke dashur dhe duke cmuar Shekspirin, Hygonë, Danten, Tolstoin, lidhesh dhe me vendin ku flitet gjuha e tyre”, thekson Profesor Myzafer Xhaxhiu.
Për hir të së vërtetës, asnjëri prej këtyre poliglotëve s’ka pasur qëllim në vetvete të bëhet poliglot. Ka qenë etja për dije që i ka cuar në gjuhët e shumë vendeve nga ku kanë mësuar shumë. Studimet thone se njerezit qe kane aftesi te mësojnë shpejt gjuhë të huaja kanë një pjesë të trurit më të zhvilluar se të tjerët. Madje, siç thote doktor Emili, ata kanë dhe vesh muzike. “Kam dhe vesh muzikor shumë të zhvilluar dhe kjo ndokin shumë për të zhvilluar edhe gjuhët e huaja”, pohon doktori. Por në morinë e gjuhëve që di një poliglot, cila nga këto gjuhë do të tingëllonte më mirë për të shprehur dashurinë? Profesor Myzaferi e ka bërë tashmë zgjedhjen e tij. “Është një pyetje delikate, por them se italishtja është gjuhë lirike dhe e embël për të shprehur ndjenjat”.
Në Amerikë, një ndër vendet me popullsinë më të përzier në botë, thuhet se nëse do të dallosh origjinën e një njeriu, nxehe që të fillojë të shajë, sepse njerëzit zakonisht i shprehin nervat në gjuhën e vendit nga vijnë. Por në çfarë gjuhe do të shante një poliglot? “Është një pyetje që s’e përballoj dot, duhet të jesh shumë i mencur që t’i përgjigjesh kesaj”, shton profesori. Po përtej kuriozitetit dhe shakave, pas të mësuarit të një gjuhe të huaj qëndron në thelb përkushtimi, fjalorët e shumtë, dhe ajo që është thelbi, leximi. Kanë lexuar gjithë jetën dhe pse kanë kaluar të 80-at, ata vazhdojnë të lexojnë e të mësojnë. “Po perfeksionoj këto që di. Çdo fjalë që degjoj në telvizor dhe s’e di, menjëherë marr fjalorin dhe e shoh”, pohon Emil Cimbi. Ndërsa Myzafer Xhaxhiu shton: “Sa më shumë gjuhë të dish aq më shumë e njeh botën. Njohja e gjuhëve të huaja është një gjimnastikë e inteligjencës. Sa më shumë gjuhë të huaja të dish aq më shumë do të mësosh shqipen”.
Dhe në fakt Shqipëria ka njohur shumë poliglotë. Po të fillojmë që nga Rilindja, me vëllezërit Frashëri të cilët dinin nga 8 gjuhë, e më pas Noli e Konica me nga 12 gjuhë. Madje Noli, vecohet, se mësoi aramaishten (hebraishte e vjetër) në moshën 82 vjecare. Një sërë studiuesish e përkthyesish që s’jetojnë më si Gjon Shllaku që në moshën 35 vjecare dinte 18 gjuhë të huaja, studiuesi Dhimitër Pilika me 9 gjuhë të huaja, themeluesi i Akademisë së Shkencave, Aleks Buda me 7, përkthyesi Bujar Doko me 7 si dhe të tjerë që jetojnë dhe i ushtrojnë aktualisht si, gjuhëtari Shaban Demiraj me 10 gjuhë të huaja, përkthyesi Zef Simoni me 10, Nestor Nepravishta me 9, etj.
Aktualisht në botë, rekordin e rekordeve Guinness për njohjen e gjuhëve të huaja e ka thyer libanezi Ziad Fazah i cili lexon, shkruan dhe flet rrjedhshëm në 59 gjuhë të botës.
Top Channel