“Polici” i Eddie Murphy vjen në ekranin e vogël

11/10/2010 00:00

Serialet televizive janë kthyer prej kohësh në një biznes
shumëfitimprurës në Shtetet e Bashkuara. Por, duke qenë se idetë kanë
filluar të shterojnë, producentët kanë gjetur një zgjidhje, përshtatjen
në seriale të filmave të suksesshëm.

“Shorti” ka zgjedhur për të sjellë në ekran trilogjinë “Një Polic në Beverly Hills”, e cila nën interpretimin e Eddie Murphy në vitet 1985, 1987 dhe 1994 arriti një sukses të paparë.

Projekti është marrë në dorë nga producenti Shawn Ryan, i mirënjohur për serinë policore “The Shield”, i cili ka kontaktuar vetë aktorin Murphy si bashkëpunëtor.

Dyshja propozon që ky serial të transmetohet në një nga rrjetet e mirënjohura amerikane si ABC, FOX, NBC dhe CBS.

Ende nuk dihet se kush do të interpretojë personazhin e agjentit të policisë së Detroitit, Axel Foley, por ajo që dihet me siguri është se nuk do të jetë Murphy.

Megjithatë, fansat e filmit të vjetër do të mund të kënaqen për faktin se aktori i famshëm do të shfaqet në disa seri në role plotësuese.

Top Channel