Rruga Tiranë-Elbasan, projekti që kushton rreth 110 milionë euro, po tërheq vëmendjen e kompanive gjigante të ndërtimit, të cilat prej kohësh kanë shprehur interes edhe te Kryeministri Sali Berisha.
Burime zyrtare nga Ministria e Punëve Publike dhe Transporteve tregojnë për “Shqip” se projekti konsiderohet i sigurt për kompanitë e ndërtimit, për rrjedhojë “të gjithë” duan të jenë fitues të tenderit, shpallja e të cilit pritet të bëhet në ditët e ardhshme.
Duke u nisur nga afatet kohore, referuar ligjit të prokurimit, ministria thotë se tenderi për hapjen e ofertave parashikohet të kryhet në fund të muajit janar, pasi kërkohen 45 ditë përgatitje dokumentesh.
Kompanitë e interesuara për ndërtimin e rrugës, rreth 31 kilometra, janë tepër të njohura për publikun shqiptar.
Ato janë përfshirë edhe në projekte të tjera, ndërsa prej kohësh ndjekin nga afër zhvillimet në sektorin e punëve publike.
Të parët që u interesuan për ndërtimin e rrugës Tiranës-Elbasan janë austriakët e “Strabag”, të cilët në takimin e zhvilluar me Kryeministrin Berisha në mars të këtij viti shfaqën ambicien për t’u përfshirë në disa projekte, ku bënte pjesë edhe tuneli i Kërrabës.
Sipas Ministrisë së Transporteve dhe Punëve Publike, shpallja e tenderit pritet të zhvillohet brenda një kohe të shkurtër, ndërsa interesimi i firmave ndërtuese është tepër i lartë, duke përmendur amerikanët e “Bechtel” dhe kompaninë tjetër austriake, “Alpine”.
Top Channel