Si administrohen bizneset e botës së krimit?

10/10/2010 15:50

Sipas ligjit të ri Antimafia, dhjetra prona që dyshohen se janë frut i botës se krimit jane nën sekuestro dhe administrohen nga Agjensia e Administrimit të pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, pranë Ministrisë së Financave.

Shumica e tyre janë dhëne me qera dhe administrohen nga agjensia, por disa të tjera, në pritje të një vendimi përfundimtar nga gjyqësori qendrojne të vulosura.

Aktualisht Prokuroria e Krimeve të Renda po verifikon të gjitha procedimet e regjistruara që prej vitit 2007 të personave që ndodhen nën gjykim në Gjykatën e Krimeve të Renda, apo që janë ende nën hetim nga prokuorët.

Në total, sipas burimeve të prokurorisë, jane të hapura 121 hetime pasurore, ndërkohe që vetëm brenda vitit 2010, janë dhënë 8 vendime sekuestroje për 24 prona dhe 14 llogari bankare. Mes llogarive të bllokuara në banka ka patur depozita edhe mbi 2 milion euro.

Bëhet fjalë për pasuritë e të gjithë shtetasve që akuzohen nga Prokuroria e Krimeve të Renda për trafik narkotikësh, krijim organizate kriminale apo pjesëmarrje në të, vepra të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, trafik femrash për prostitucion, trafik të armëve dhe municioneve luftarake, heqje e paligjshme e lirisë, dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit.

Top channel publikon rastet më të fundit kur Prokuoria e Krimeve të Renda, i ka dërguar gjykatës kërkesën e konfiskimit të pronave dhe llogarive bankare të disa të pandehurve që janë nën gjykim.

Agjensia e Administrimit i jep pronat me qera dhe me vendim gjykate cakton një administrator në mënyrë që pronat të vazhdojnë të jenë në eficensë. Por ka edhe te tilla që nuk janë marrë për t’u vënë në punë nga askush për shkak të famës së keqe që ka patur pronari i saj.

Me aplikim të ligjit të ri Antimafia gjykata ka të drejtë të japë vendim sekuestroje edhe për prona të të dënuarve nga gjykatat e huaja, atëherë kur ky vendim njihet nga autoritetet gjyqësore shqiptare. Të tilla janë tetë raste të shtetasve shqiptarë që janë dënuar në Itali për veprat penale që gjykohen nga Krimet e Renda dhe të cilëve po u verifikohen pasuritë nga prokurorët e Krimeve të Renda.

Top Channel