Opozita kërkoi sërish sot largimin e Ministres së Integrimit Majlinda Bregu.
Deputetja Olta Xhacka tha se nuk ka më nevojë për prova të reja mbi implikimin e saj në bizneset e njerëzve të lidhur me krimin e organizuar, për të treguar se një ministre e tillë është turpi i qeverisë.
“Në fillim Majlinda Bregu tha se nuk kishte lidhje me bizneset e motrës dhe të kunatit dhe se Prudentinon as nuk e njihte, por më pas nxitoi të justifikonte djalin e mafiozit italian të Sacra Corono Unita, duke nxjerrë edhe dokumente personale të Anxhelo Prudentinos. Dje sërish Majlinda Bregu foli, sërish gënjeu. Si mund t’iu justifikojë shqiptarëve kjo zonjë grumbullimin e apartamenteve në zemër të Tiranës, të padeklaruara nga ajo vetë, vlera e të cilave mbetet ende mister?! Si mund të pretendojë se një apartament 3 dhoma e 1 kuzhinë bashkë me një tjetër apartament 3 dhoma e një kuzhinë dhe bashkë me një apartament të tretë, 2 dhoma e 1 kuzhinë në qendër të kryeqytetit janë blerë me 500 euro metri katror ndërkohë që çmimi e referencës është 1300 dhe vlera e tregut 2000?! Nuk ka më asnjë justifikim për Majlinda Bregun! E vetmja gjë që i mbetet është të largohet me turp sepse është kthyer në turpin e të gjithë shqiptarëve”, deklaroi në një konferencë për shtyp deputetja socialiste, Olta Xhaçka.
Top Channel