Mësimi i gjuhës maqedonase për nxënësit jomaqedonas, pra edhe shqiptarë mbetet obligim nga klasa e katërt, kurse më herët mund të mësohet vetëm në rast se për një gjë të tillë vendosin këshillat prindërorë.

Kjo zgjidhje parashihet në strategjinë e re për arsim të qeverisë së Maqedonisë, e cila u prezantua nga zëvendëskryeministri Abdylhaqim Ademi, komisari i lartë i OSBE-së për pakicat, Knut Volebek, dhe ministri i Arsimit, Nikolla Todorov.

“Strategjia parasheh që në fazën e parë, gjuha maqedonase të mund të mësohet në klasën e parë, por jo në mënyrë të detyruar. Ndërsa u jep mundësinë që këshillat e prindërve dhe këshillat e shkollave të vendosin se në cilën klasë do të fillojë njohja me gjuhën maqedonase, sepse nuk do të ketë mësim klasik, por njohje me maqedonishten”.

“Po ashtu, deri tani ka ekzistuar mundësia që maqedonasit ta mësojnë shqipen nga klasa e gjashtë, kurse tani kjo mundësi parashihet prej klasës së parë”, deklaroi zëvendëskryeministri Ademi, përgjegjës për realizimin e Marrëveshjes së Ohrit. Ministri i Arsimit, Nikolla Todorov, nënvizoi se në shkollat, ku eventualisht do të vendoset të mësohet maqedonishtja prej klasës së parë, ajo do të mësohet përmes lojës dhe nuk do të evidentohet si lëndë.

“Bëhet fjalë për një koncept fleksibël që gjuha maqedonase të mësohet përmes lojës që nga klasa e parë, nëse për këtë vendosin këshillat prindërorë”, sqaroi Todorov, duke bërë të ditur se me këtë strategji parashihet mundësia që edhe nxënësit e entitetit maqedonas ta mësojnë gjuhën shqipe si lëndë fakultative. Ndërkaq, komisari i lartë i OSBE-së, Knut Volebek, porositi autoritetet shtetërore të Maqedonisë që “strategjia e re për arsim” duhet të paraqesë benefit për krijimin e urave lidhëse mes etniteteve dhe assesi të shihet si “kleçkë” që shkakton tensione në raportet ndëretnike.

Top Channel