Holanda e Belgjika: Jo heqjes së vizave

06/10/2010 21:05

Në seancën plenare të Parlamentit Evropian ka pasur edhe eurodeputetë që janë shprehur kundër heqjes së regjimit të vizave me Shqipërinë dhe Bosnjen.

Kështu, holandezi Van der Stoep e ka vënë theksin tek krimi dhe korrupsioni në dy vendet e Ballkanit, që sipas tij kanë arritur nivele alarmante.

“Bosnja dhe Shqipëria janë vendet më të korruptuara. S’mund të hiqen vizat për vendet e korruptuara. Gjithashtu, ato janë anëtare të Konferencës Islamike”, ka deklaruar Van der Stoep.

Në të njëjtën linjë është shprehur edhe eurodeputeti belg Claeys, sipas të cilit heqja e vizave do të thotë futja e krimit në Evropë.

“Shqipëria dhe Bosnja janë vende burimi të trafikut. Shqipëria ka lidhje të forta me krimin e organizuar. Po lejojmë krimin të hyjë në BE”, ka pohuar Claeys.

Deklaratat e tyre janë mbështetur edhe nga Viktor Bostinaru, i cili në fjalën e tij ka theksuar se Shqipëria nuk ka zgjidhur ende krizën politike.

Top Channel