Mediat britanike komentojnë “Pitkinin shqiptar”

05/10/2010 19:10

Sir Norman Wisdom, legjenda filmave komikë britanikë aq të dashur për shqiptarët, është ndarë nga jeta në moshën 95 vjecare.

Pas disa sëmundjeve kardiake ai ndërroi jetë qetësisht në një shtëpi kujdesi për moshuar. Karriera e tij artistike e nisur fillimisht si amator gjatë Luftës së Dytë Botërore kur ai ishte ushtar, është shumë e pasur ku dominojnë qindra role, kryesisht komikë, duke përcjellë humorin tipik anglez me origjinalitet të plotë.

Të gjitha mediat britanike menjëherë pas marrjes së lajmit për ndarjen nga jeta të Sir Norman Wisdom janë marrë masivisht më shumë me lidhjen që ai kishte me Shqipërisë se sa me karrierën e tij në Britani. “Për Shqipërinë Pitkini ishte një dritare për të parë perëndimin”, shkruan “The Times”. Ndërsa “The Guardian” e përshkruan Wisdom si mbretin e skenës së humorist britanik i cili ishte shumë i njohur në Shqipëri ku kishte më shumë adhurues krahasuar me vëndlindjen e tij.

“The Indipendent” ka si titull” “Veterani komik, i preferuari shqiptarëve vdes në moshën 95 vjecare”. “Cuditërisht ai ishte një figurë kult në Shqipëri ku filmat e tij ishin të vetmit filma perëndimorë që lejoheshin”, komenton “The Sun”. Televizionet britanike kanë transmetuar intervista me Zef Mazin, ambasadorin e Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar, të shoqëruara me pamje të Wisdom gjatë vizitës në Tiranë ku ai hyri në stadium në pjesën e dytë të ndeshjes ku Shqipëria luante kunder Anglisë.

“Pas Charlie Chaplin ai ishte komediani më i madh në Shqipëri. Ende e mbaj mend rolin e Pitkinit dhe bosit të tij zotit Grimsdale. Sir Norman Wisdom ishte shumë popullor për të gjithë grupmoshat duke i bërë atë të qeshnin gjatë periudhës komuniste ku nuk kishte shume arsye për të qeshur”, ka thëne Mazi për televizionin BBC.

Nga komentet e Facebook apo faqet online të televizoneve për vdekjen e Sir Norman, komentuesit shprehin habinë e gjithë kësaj dashurie të madhe shqiptare për komikun e tyre, madje edhe duke pyetur nëse Shqipëria do të mbajë 3 ditë zi? Ndërkohë mediat britanike janë vënë në kërkim të pamjeve apo fotove nga ndonjë ceremoni e mudëshme përkujtimore në Tiranë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA