Kushtetuesja, Kuvendi shtyn sërish seancat

05/10/2010 08:25

Parlamenti zvarrit shtatë dekretet e Presidentit Bamir Topi për Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë.

Data 6 tetor ishte parashikuar si dita e parë e diskutimit të kandidaturës së parë të Kushtetueses për t’u shqyrtuar në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike.

Kjo datë është shtyrë duke u spostuar më 11 tetor. Në këtë mënyrë, sipas përllogaritjeve, Kuvendi ka afat edhe 21 ditë pas kësaj date për të marrë në shqyrtim shtatë dekretet e Presidentit Bamir Topi, të cilat plotësojnë vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë.

Dy muaj më parë, mazhoranca akuzoi Presidentin Topi se ka shkelur Kushtetutën duke vonuar zëvendësimin e anëtarëve të Kushtetueses.

Rreth dy muaj më vonë është Parlamenti ai që po zvarrit kandidaturat e propozuara nga Presidenti për Gjykatën Kushtetuese dhe atë të Lartë.

Duket se mazhoranca aktuale nuk e ka në rend parësor plotësimin e vendeve vakante në gjyqësor.

Pyetjet janë dërguar dhe një pjesë e përgjigjeve janë depozituar në zyrat e kryesisë së Kuvendit nga gjyqtarët e dekretuar nga kreu i shtetit.

Janë po të njëjtat pyetje, dhe do të ndiqet po e njëjta praktikë si edhe në rastet e mëparshme për të shtatë kandidaturat që do të paraqiten në Komisionin e Ligjeve.

Shkaku zyrtar i vonesës së kësaj jave është largimi jashtë Shqipërisë i një delegacioni deputetësh, shumica e të cilëve janë njëkohësisht edhe anëtarë të Komisionit të Ligjeve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA