Debati i zgjatur për kutitë e votimit dhe asgjësimin e mundshëm të fletëve të votimit do të mbyllet përfundimisht me hartimin e buxhetit për zgjedhjet e ardhshme të vitit 2011.
Nëse politika nuk do të japë një përgjigje të drejtpërdrejtë lidhur me administrimin e tyre, atëherë duket se ajo do të bëhet e ditur nga miratimi i buxhetit, i cili në një rast të tillë do të duhet të përfshijë në zërat e shpenzimeve edhe fondin për kutitë.
Zgjedhjet në këtë rast janë të detyruara dhe ato qëndrojnë mes një përdorimi të kutive aktuale, çka kërkon zbrazjen e tyre dhe arkivimin e materialit zgjedhor dhe blerjes së kutive të reja.
Nëse do të ndodhë skenari i dytë, atëherë edhe buxheti i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve do të duhet ta parashtrojë si kërkesë buxhetore, për arsye të miratimit të fondit përkatës.
Rrjedhimisht, edhe pse një aspekt teknik i procesit të ardhshëm, financimi i zgjedhjeve do të japë një përgjigje zyrtare edhe për perspektivën e debatit politik, i cili zvarritet prej 1 viti.
Në këtë kuadër, KQZ ka mundësi që të bëjë një dalje nga situata e tanishme ku është përfshirë vetiu dhe që krijon kosto të mëdha për imazhin e tij.
Mjafton të kujtohet këtu se deklarimet e kreut të tij, Arben Ristani, sipas të cilit “mosdjegia e fletëve të votimit e vendos atë në kushte të shkeljes së ligjit”, kanë provokuar reagime shumë të forta nga ana e Partisë Socialiste.
Top Channel