Tafaj shpjegon ligjin e arsimit të lartë

04/10/2010 21:40

Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj ka shpjeguar në emisionin “Shqip” në Top Channel ndyshimet kryesore të ligjit të arsimit të lartë. Ai ka sqaruar disa nga paqartësitë që mund të kenë studentët aktualë dhe ata potencialë që kërkojnë të vazhdojnë studimet e larta në Shqipëri.

“Ndryshimet për ligjin në vitin 2007 thjesht saktësojnë disa kapituj të tij. Më i rëndësishmi është ai i diplomave, por këto ndryshime ruajnë strukturën e diplomave siç ka qenë në ligjin e 2007-ës. Ndryshimi ka të bëjë vetëm me emërtimin e ndryshimeve dhe thjeshtëzimin e skemës së diplomave”, është shprehur Tafaj.

“Cikli i parë që zgjat 3 vjet dhe kërkon 180 kredite, përjashtuar 4-5 degë, quhen studime të integruara, emërtimi është bachelor. Cikli i dytë është një cikël që ndërtohet mbi bazën e të parit dhe ka vetëm dy degëzime: masteri profesional dhe ai shkencor. Pas bachelor secili ka mundësi të studiojë për një master profesional për një periudhë një deri në një vit e gjysmë për të studiuar në një formë të ngushtë. Degëzimi tjetër është i masterit të shkencave. Ky master zgjat dy vjet dhe ka 120 kredite, është më shumë i orientuar në kërkimin shkencor dhe vlen për kandidatët që shohin si prespektivë edhe një karrierë akademike, por edhe ata që synojnë më shumë të formohen më shumë teorikisht. Cikli i tretë janë studimet e doktoratës që nuk kanë pësuar asnjë ndryshim”, shpjegoi Tafaj.

“E reja tjetër është gjuha e huaj, ajo angleze, e vlerësuar përmes një testi internacional”, shtoi ministri.

Ai theksoi se të gjithë studentët që janë në proçes studimi, do të diplomohen me titujt e parashikuar në ligjin e ri për arsimin e lartë.

“Të gjithë studentët që kanë filluar studimet do të vazhdojnë me skemën që kanë nisur, vetëm se do të marrin emërtimin me titullin e ri. Ata që vazhdojnë DND do të diplomohen në master të shkencave, apo ata që vazhdojnë masterin e parë do të diplomohen për master profesional. Këta nuk do t’i detyrohen kërkesës së gjuhës së huaj”, tha Tafaj.

Duke shpjeguar vlerën e diplomës bachelor për tregun e punës, ministri tha se ajo “është diplomë universitare që të jep mundësinë të punësohesh, por posti i punës nuk është i atij niveli që kërkon një me master apo një me doktoratë”, pohoi kreu i arsimit.

Sipas tij, “masteri i nivelit të dytë do të quhet i tillë, por nuk do të ofrohet më. Ai do të konsiderohet si një studim pas masterit”.

Diplomat e vjetra katër vjeçare, sipas ministrit, nga ana ligjore do të jenë të njëvlefshme me masterin shkencor.

“Ligji i njeh njësoj diplomat katër vjeçare me ato me master, por sigurisht që është tregu i punës që bën diferenca. Por në administratën shtetërore nga ana ligjore të diplomuarit me këto lloj diplomash janë të gjithë të njëjtë”, theksoi Tafaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA