I ftuar në emisionin “Shqip” në Top Channel, ministri i Arsimit Myqerem Tafaj u është përgjigjur pyetjeve të studentëve, të mbledhur në një studio të improvizuar para Universitetit të Tiranës.
Fillimisht ministri ka folur për ndryshimet në ligjin për arsimin e lartë, të cilat sipas tij do të prekin disa fakultete.
“Meqenëse ndryshimet e ligjit për arsimin e lartë kanë hyrë në fuqi, ato do të pasqyrohen në Fakultetin e Magjistraturës dhe tek degët që kanë të bëjnë me avokatinë. Ne po bashkëpunojmë me Ministrinë e Drejtësisë për të bërë ndryshime të mëtejshme”, ka sqaruar Tafaj studentët.
Ndërsa përsa u përket universiteteve private, ai ka bërë të ditur se këto subjekte mund të veprojnë vetëm brenda kufijve që u lejon licensa.
“U kemi kërkuar universiteteve private që të respektojnë licensat që kanë. Askush s’ka të drejtë të bëjë marketing jashtë diplomave të akredituara. Për cdo shmangie që i është bërë licensës i është kërkuar llogari cdo universiteti privat”, ka nënvizuar Tafaj.
Më tej ministri i Arsimit është pyetur lidhur me ligjin e profesionit, për të cilin ka theksuar se është një direktivë e BE dhe se zbatimi i tij do të fillojë vitin tjetër.
“Ligji i profesionit të rregulluar është miratuar në Parlament, është një direktivë e BE dhe ne jemi të detyruar ta plotësojmë atë, sidomos për profesionet me rëndësi publike dhe që mund të ushtrohen nga profesionistë të lirë. Të tilla kemi mjekësinë, inxhinierinë, mësuesinë, etj. Për këto është e detyrueshme të bëhet një provim shteti që teston njohuritë e kandidatit dhe që provon se pas studimeve univeristare ai është i gatshëm të ushtrojë profesionin. Këto provime fillojnë vitin tjetër”, ka sqaruar Tafaj.
Top Channel