Në këtë zonë të Shqipërisë ku infrastruktura është në luftë të përditshme me baltën, është e vështirë të pretendosh ca komoditete si përshembull një ashensor në shtëpi. Por ja që dikush këtë dëshirë e ka bërë realitet.

Jemi në fshatin Karbunarë e Madhe të Lushnjës. Sadik Mezini është një banor i vjetër i tij, e që  gëzon jo pak famë këtyre anëve. Ai i përket racës së atyre njerëzve që mendimet e çuditshme i kthen në vepra konkrete.

Sadiku kurrë nuk ka parë sesi funksionon një ashensor i vërtetë prodhim industrial.

Gjithashtu ai as ka marrë ndonjëherë pjesë në montimin e ndonjë të tilli. Por një ditë, me dëshirën për t’i lehtësuar bashkëshortes lëvizjet e punëve në shtëpi, ndërtoi ashensorin e tij personal, e cila që nga projektimi e deri në zbatim, mban firmën e 49-vjeçarit.

“Ideja lindi meqë shtëpitë i kisha dy katëshe dhe mendoja të bëja një kat të tretë, vendosa të ndërtoja edhe një ashensor duke e ndërtuar vetë”, tregon Sadiku.

Me mjete krejt rrethanore Sadiku ndërtoi skemën elektrike të panelit kryesor. Kjo ishte fillesa e më pas nisi puna këmbëngulëse për t’i dhënë dalëngadalë formë idesë.

“Ky paneli këtu është 330 voltë që punon elektromotori duke lëvizur ashensorin. Brenda kemi një çelës kryesor, tre butona për çdo kat”, thotë Sadiku.

Familja Mezini nuk është prej atyre që gëzon mirëqenie ekonomike, ndaj shpikësi lushnjar ka sakrifikuar shumë për realizimin e shpikjes së tij.

“Kostoja është vetëm e materialeve që janë nevojitur dhe ka kushtuar rreth 1.3 milionë lekë”, pohon Sadiku.

Mes habisë dhe zilisë së zonjave të lagjes, Fiqiretja bashkëshortja e këtij njeriu kreativ, lumturohet që në shtëpinë e saj ka një ashensor. Edhe pse me një pamje shumë primitive, gruaja ushqen një respekt të patundur për ashensorin që i vjen asaj shumë në ndihmë.

“Kur më tha në fillim do bëj ashensor, i thash bëje. Ne e përdorim, hip vetë, hip plakën që e ka të vështirë të ngjisë shkallët”, thotë Fiqiretja.

Këtu e 5 vjet shkuar, kur Sadiku ndërtoi ashensorin, shpikja bëri jehonë. Ofertat për ta ripërsëritur veprën erdhën shpejt. Jo nga banorë të fshatit, por nga ndërtuesit e një restoranti të madh në qytet. Idriz Çela tregon se megjithë dëshirën e madhe ishte dyshues në do të mundte Sadiku ta realizonte objektin sipas kërkesës së tyre.

“Shkova e pash ashensorin në shtëpi dhe e ftova të ma bënte një në restorant. Po në fillim isha shumë dyshues, por ai ia doli”, shprehet Fiqiriu.

Sadiku nuk ka ndonjë kualifikim të posaçëm. 49-vjeçari ka kryer të mesmen bujqësore dhe atë mekanike, e megjithatë ato pak njohuri të marra dikur i përpunon në dobi të krjimeve të veta. Një i tillë është edhe një automjet një ndër të shumtët prototipe që qarkullojnë sot në Shqipëri të krijuar nga konstruktorë amatorë si Sadiku.

“Janë përdorur ele të marra nga varrezat e makinave, motori është një motor vespe. Nëpërmjet reduktimit të shpejtësisë asaj i shtohet forca dhe kjo me motor aq të vogël tërheq deri në 1.5 tonë”, pohon Sadiku.

Me këtë hibrid të çuditshëm, me të cilin Sadiku kryen jo pak punë, i ka hapur telashe vetes me policët në rrugë. Megithatë, mjeti i çuditshëm nuk i nënshtrohet atij kontrolli të imtësishëm të rregullores standarde.

“Policinë rrugore me tepër e shtyn kureshtja për këtë prodhim sepse me letra nuk është që të jesh i lejueshem të qarkullosh në qytet”, thotë Sadiku.

Makina ekonomike është shumë e dobishme për familjen Mezini, ashensori gjithashtu, nuk janë pjella e vetme e mendjes së këtij krijuesi. Sadiku me shpikje të tjera, i ka ofruar dobishmëri dhe komoditete të vogla shtëpisë. E megjithatë Sadiku ka edhe një dëshirë të fundit.

“Kam shumë dëshirë të bëj një helikpter ndoshta dhe të fluturoj me duart e mia. Po nuk e di a do t’ia dal, pasi materiale për mjetet fluturuse kushtojnë”, rrëfen Sadiku.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel