
Mëngjesin e 18 shtatorit të 1970-ës u gjend pa jetë në dhomën e një hoteli në Londër, trupi i Jimi Hendrix, një nga kitaristët më të mëdhenj të historisë botërore të muzikës, por edhe sot, 40 vjet më pas, miti i tij vazhdon t’i rezistojë kohës.
Versioni zyrtar i vdekjes nga pasojat e pijes së shumtë të konsumuar pak para ndarjes nga jeta nuk u besua nga shumë njerëz.
Ashtu sikurse edhe vdekjet e shumë yjeve të shuar në moshë të re, edhe ajo e Hendrix, 27 vjecar, u rrethua nga një mjegull misteri.
Hipotezat e ngritura flasin nga komplotet shtetërore, deri tek asgjesimi nga vetë agjenti i tij. Mediat e huaja bëjnë të ditur se në 2008-ën, parlamentarja e Shteteve të Bashkuara Cinthya McKinny ka folur për një komplot të qeverisë, që sipaj saj asokohe donte të eleminonte liderët me ngjyrë.
Zëra të tjerë thonë se agjenti i tij ka pranuar para se të vdiste, se e kishte vrarë për t’i marrë paratë e sigurimeve.
Por përpos hipotezave mbi vdekjen e kitaristit dhe këngëtarit Hendrix, ajo që është e sigurtë, mbetet gjenialiteti i artistit mëngjarash me duar të medha, që arrinte të kapte akorde të pamundura për të tjerët dhe influenca e tij me risitë që solli në zhvillimin e kitarës elektrike.
James Marshall Hendrix, ose sic njihet gjerësisht Jimi Hendrix, lindi më 27 nëntor të 1942-shit në Siatëll.
Ai konsiderohet si paraprirës i shumë strukturave dhe tingujve që më vonë u bënë evolucione të rock-ut, si për shembyll heavy metal.
Gjinitë e lëvruara prej tij shkojnë mes të tjerash nga blues-rock, rock psychedelic, apo hard rock.
Ndër performancat e tij më të famshme renditen ato të 1967-ës në Festivalin Ndërkombëtar të Pop-it në Monterej, ku Hendrix i ra kitarës me dhëmbë, pastaj pas shpine dhe në fund i vuri flakën.
Tjetra në Festivalin e Vudstokut 1969, ku luajti në mënyrë provokuese himnin amerikan të shtrembëruar nga ana muzikore.
Në 2003-shin, në klasifikimin e revistës “Rolling Stone”, Hendrix rezultoi si kitaristi më i mirë i të gjitha kohërave. Fakt është që 40 vjet pas vdekjes së tij, njihet dhe adhurohet edhe nga brezat më të rinj.
Top Channel