
Ministria e Inovacionit dhe Teknologjisë së Informacionit e Komunikimit po ndërmerr disa hapa ligjorë për të nxitur sektorin bankar në ofrimin e disa shërbimeve përmes internetit (I-banking).
Ministri Genc Pollo deklaroi dje se aktualisht pak banka e ofrojnë një shërbim të tillë, kurse ato që e kanë, nuk e paraqesin të plotë.
“Ne kemi punuar gjatë këtij viti, duke shqyrtuar legjislacionin, kuadrin rregullator dhe politikat tona në mënyrë që të nxisim bankat, operatorët e komunikimeve elektronike e çdo aktor tjetër, që të ofrojë për klientët këtë shërbim”, tha ministri.
Në pranverën e këtij viti, kryeministri Berisha në takimin e zhvilluar me ministrin e Financave, guvernatorin e Bankës së Shqipërisë dhe Ministrinë e Inovacionit, kërkoi nxitjen e përdorimit të mobile-banking (përdorimi i celularit për shërbimet e bankës), në mënyrë që pagesat e telefonit, dritave, ujit e kështu me radhë, të mund të kryhen edhe nga celulari.
Projekti I-banking u lejon klientëve të bankave të nivelit të dytë të kryejnë transaksionet e tyre financiare nga shtëpia ose puna, në çdo kohë 24 orë të ditës, pa ndihmën e punonjësve të bankës.
Ajo çfarë u duhet klientëve është një kompjuter dhe akses interneti.
I-banking do t’u kursejë shqiptarëve kohë dhe mundimin e vajtjes në degë dhe do t’u japë atyre mundësinë të kryejnë pjesën më të madhe të aktivitetit të tyre bankar nga llogaria e tyre online në çdo kohë, edhe atëherë kur orari bankar ka mbaruar.
Top Channel