Vetëm një 3G?

14/09/2010 19:55

Qeveria shqiptare ka vendosur që për ofrimin e shërbimit të ri të internetit me shpejtësi të lartë përmes teknologjisë 3G, të japë vetëm një auotorizim nga katër të tillë që ka parashikuar.

Për autorizimin e dytë qeveria nuk ka dhënë asnjë afat.

Ish ministri i Ekonomisë dhe eksperti i njohur për konkurrencën në treg, Zef Preçi thotë se ky vendim krijon monopol në treg.

“Në kushtet kur entet tona janë të dobta në mbikëqyrjen dhe imponimin e rregullave te tregut, detyrimisht që do të pengonte operatorët investues të zgjeronte gamën e produkteve që ofrojnë. Në këtë mënyrë lihen shtigje për afera korruptive dhe dëmtim të tregut në përgjithësi”, është shprehur Preçi.

Sipas qeverisë, operatori celular që do të marrë autorizmin e parë duhet të paguaj më shumë se 12.5 milionë euro. Sipas zoti Preçi, qeveria nuk ka dhënë deri tani asnjë shpjegim se si e përllogarit këtë detyrim.

“Karahas interesit momental si të qeverisë, ashtu edhe të biznesit që do të marrë liçencën, do ishte e këshillueshme të merreshim parasysh interesat e publikut”, deklaroi Preçi.

Vendimi i qeverisë për të dhënë vetëm një autorizim 3G, jep ndikim negativ jo vetëm në sektorin e telekomunikacioneve, por në gjithë ekonominë.

“Çfardolloj liberalizimi të tregut nuk mund të mos jetë pozitiv për konsumatorin”, tha Preçi.

Sot në Shqipëri vetëm 12.5 përqind e familjeve mund të përdorin internet me shpejtësi të lartë dhe numri i linjave për këtë shërbim për çdo 100 banorë është vetëm 3 përqind.

Këto janë rezultate më të ulëta jo vetëm në Bashkimin Europian, por edhe në rajon.

Shqipëria është edhe një ndër vendet më të vonuara në aplikimin e teknologjisë së re 3G, ndërkohë që në shumë vende të tjera ka nisur aplikimi i tekologjive më të avancuara prej të cilave qytetarët marrin shërbime më cilësore dhe paguajnë çmime më të ulëta.

Top Channel