“Himara”, Droutsas takon Bollanon dhe Dulen

14/09/2010 08:45

Athina zyrtare duket se do të rimarrë një angazhim të ri konkret sa u përket problemeve të minoritetit etnik grek në Shqipëri.

Duke konfirmuar kështu klimën jo dhe aq të ngrohtë në marrëdhëniet dypalëshe, qeveria greke motivohet në këtë qëndrim të pritshëm edhe nga incidenti i Himarës, që po fiton vlerësimin e një ngjarjeje që përfaqëson një pjesë të realitetit greko-shqiptar.

Kështu, vetëm një ditë pasi Kryeministri grek, Jorgo Papandreu, u shpreh me tone shqetësuese lidhur me ngjarjen e verës, ku gjeti vdekjen Aristotel Guma, dyshja përfaqësuese e minoritetit grek në Shqipëri, kreu i OMONIA-s dhe Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano dhe ai i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, kanë mbërritur në Athinë, ku pritet të zhvillojnë sot një takim me ministrin e Jashtëm të Greqisë, Dimitris Droutsas.

Aktiviteti është afishuar zyrtarisht nga Ministria e Jashtme dhe paralajmëron një trajtim intensiv të problemeve të ngritura nga këto dy subjekte sa u përket çështjeve të minoritetit.

Kuadri i angazhimeve të Greqisë zyrtare do të institucionalizohet edhe më tej, teksa në muajin tetor pritet që në Tiranë të mbërrijë Droutsas, që sapo është konfirmuar si numri një i diplomacisë së saj.

Edhe pse informacionet e takimit pritet të bëhen publike sot, është e qartë se në thelbin e vet dyshja Bollano-Dule do të adresojë në një nivel të ri shqetësimet e tyre politike që janë bërë të njohura edhe në Shqipëri.

Top Channel