Kelly: Të nisë reforma zgjedhore

11/09/2010 08:30

Një ditë pas publikimit të raportit të mbajtur nga ana e ambasadorit Robert Bosch në Këshillin e Përgjithshëm të OSBE-në, është zbardhur edhe deklarata e diplomatëve pjesëmarrës.

Ambasadori i Misionit të SHBA-së në OSBE, Ian Kelly, pas paraqitjes së raportit të Robert Bosch në lidhje me zhvillimet politike dhe sociale në vend, shprehu mbështetje për arritjet e qeverisë shqiptare dhe për progresin e bërë në implementimin e reformave të rëndësishme që prej raportit të fundit të OSBE-së.

“Shumë zhvillime pozitive kanë ndodhur që prej raportit tuaj të fundit, kryesisht në përpjekjet për të mbrojtur individët nga diskriminimi, në luftën kundër trafiqeve njerëzore, në reduktimin e korrupsionit dhe në krimin e organizuar, si dhe në përmirësimin e qeverisjes ambientaliste. Shqipëria meriton njohje për këto arritje”, theksoi shefi i Misionit të SHBA-së në OSBE, ambasadorit Ian Kelly.

Por nga ana tjetër, Kelly thekson nevojën e nisjes menjëherë të reformës zgjedhore, në kuadër të zgjedhjeve të ardhshme lokale, të cilat janë në prag.

“Ju i kushtoni vëmendje si progresit të bërë nga Shqipëria në zbatimin e reformave të rëndësishme, ashtu edhe sfidave që mbeten në disa çështje kyçe. Një prej tyre është reforma zgjedhore, veçanërisht duke pasur parasysh afrimin e zgjedhjeve të ardhshme vendore. Ne vazhdojmë të besojmë se rekomandimet e raportit të OSBE-ODIHR përmbajnë udhëzime të dobishme për përmirësimin e sistemit zgjedhor në Shqipëri”, theksoi në fjalën e tij përfaqësuesi i SHBA-së në OSBE.

Nga ana tjetër, Kelly thekson se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e vlerësojnë maksimalisht punën e Prezencës së OSBE-së në këtë dhe në çështje të tjera, sidomos në përpjekjet për të fuqizuar pavarësinë dhe transparencën e institucioneve juridike, për të ndërtuar kapacitetet e asamblesë në promovimin e barazisë gjinore dhe në forcimin e përpjekjeve kundër korrupsionit.

Gjithashtu, sipas Kelly-t, SHBA vlerëson mbështetjen e vazhdueshme të Prezencës ndaj policisë dhe në procesin e çarmatimit.

“Prezenca ka ende shumë për të bërë në ndihmë të ndërtimit dhe konsolidimit të progresit në këto fusha, si dhe për të promovuar më tej përmirësimet në fusha të tjera, siç janë mbrojtja e të drejtave të minoriteteve dhe forcimi i transparencës në pronësinë dhe financimin e mediave”, thekson ambasadori i Misionit të SHBA-së në OSBE.

Top Channel