Bosch: Jo, djegies së fletëve të votimit

10/09/2010 19:45

Ambasadori i OSBE-së Robert Bosch, në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, është shprehur kundër djegies së fletëve të votimit nga ana e KQZ-së.

“Do ta konsideroja veprim jo të mençur djegien e fletëve të votimit, shto këtu faktin që kjo nuk do të ishte korrekte nga ana juridike, sepse, sipas një ligji tjetër, jo Kodit Zgjedhor, nëse ngrihen padi, prokuroria ka dy vjet kohë në dispozicion. Prandaj, fletët duhet të ruhen, të paktën, edhe për një gjysmë viti, le të themi deri më 28 qershorin e vitit të ardhshëm, në mënyrë që drejtësia të ketë mundësi të hetojë, nëse do të jetë e nevojshme”, është shprehur Bosch.

Ai theksoi gjithashtu se vonesat në realizimin e reformës zgjedhore rrezikojnë rikthimin në situatën e zgjedhjeve të mëparshme vendore të cilat u cilësuan si një shans i humbur.

“Rrezikohen deri në atë masë sa mund të rikthehemi, edhe njëherë, në situatën e mëparshme, e cila u kritikua ashpër edhe nga ODIHR-i, që i quajti zgjedhjet e fundit vendore si një tjetër mundësi e humbur. Tashmë kemi një kod të ri zgjedhor, i cili ka nevojë të përmirësohet, në zbatim të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, Këshillit të Evropës, misionit të NATO-s në Shqipëri dhe të vetë Prezencës. Sigurisht që mbetet shumë për të bërë dhe ne po përpiqemi të bëjmë maksimumin, në mënyrë që të shmangim përsëritjen e situatave të mëparshme. Prandaj, reforma zgjedhore është kaq e rëndësishme, sidomos duke pasur parasysh zgjedhjet e ardhshme vendore”, theksoi Bosch.

Top Channel