Bashkia: Të mbyllen varrezat e Sharrës

09/09/2010 09:00

Teksa kalon nëpër varrezat e Sharrës, përjeton emocione që të rrëqethin mishin, por të bëjnë njëkohësisht të urresh atë panoramë të mjerueshme që paraqitet në këtë zonë.

Pothuajse kudo lexon dy, tri apo 4 emra të cilët janë mbivendosur te njëri-tjetri.

Varre të tilla të zë syri kudo, madje edhe në mes të rrugëve, ku më parë kalonin makinat.

Numri i tyre po shtohet gjithnjë e më shumë, aq sa së fundmi shqiptarët kanë filluar të prenotojnë “vdekjen” e tyre.

Madje, sipas shërbimeve funerale edhe kjo po bëhet e pamundur.

Në Sharrë tanimë nuk ka më vend për të varrosur të vdekurit.

Kohët e fundit situata kishte degjeneruar deri në atë pikë, sa gropat hapeshin në udhët e Sharrës, e deri edhe në rrugën kryesore.

Të vënë përballë kësaj situate problematike, Ndërmarrja e Shërbimeve Funerale pranë bashkisë ka urdhëruar të ndërpriten kryerjet e varreve në Sharrë.

Nga ana tjetër, funeralet private shprehin pakënaqësitë e tyre në lidhje me këtë njoftim, që sipas tyre është i padrejtë.

Ata thonë se një zgjidhje e mundshme e kësaj problematike do të ishte zgjerimi i hapësirave për kryerjen e këtyre shërbimeve dhe jo ndërprerja e varrosjeve, që sipas tyre nuk e përmirëson këtë situatë alarmante.

Top Channel