Pak ditë përpara publikimit të dokumenteve zyrtarë nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare në lidhje me tenderin e liçencës 3G, operatorët e telefonisë celulare AMC, Eagle Mobile, Plus dhe Vodafone ranë dakord që të kërkojnë zyrtarisht rishikimin e vendimit të qeverisë për të dhënë vetëm një liçencë 3G.
Në deklaratë thuhet se rreziqet e një favorizimi të një ambienti monopolistik dhe çmimi i lartë hyrës në kuotën e 12.5 milionë eurove, janë shqetësimet e kompanive celulare që operojnë në Shqipëri.
Katër operatorët e telefonisë celulare janë të bindur se lëshimi njëkohësisht i katër liçensave 3G, kundrejt një tarife të favorshme për të gjithë spektrin e vlefshëm 3G, u shërben objektivave të qeverisë dhe nevojave në rritje të konsumatorëve për internet të shpejtë me bandë të gjerë.
Shteti do të përfitojë më shumë të ardhura për buxhetin nga tarifat e paguara nga të katër operatorët e liçensuar, që do të kenë një efekt pozitiv në GDP dhe rritjen e nivelit të punësimit.
Shqipëria, thuhet në deklaratë, ka qenë nismëtare e zhvillimit të komunikimit celular në vitet 1990-të, por aktualisht renditet e fundit në Europë për sa i takon përhapjes së teknologjisë 3G.
Si rrjedhojë, përpara publikimit zyrtar të dokumenteve të tenderit, katër kompanitë e telefonisë celulare i bëjnë thirrje autoriteteve shtetërore të diskutojnë më tej me të gjitha palët e përfshira dhe operatorët për arritjen e një zgjidhje të përshtatshme, përfundon deklarata.
Top Channel