PS: Skandal me Ekspozitën

08/09/2010 15:00

Në cështjen e privatizimit të ish Ekspozitës ‘Shqipëria Sot’, Partia Socialiste denoncoi cmimin e ulët të truallit të përcaktuar nga qeveria. (UPDATE)

Deputeti Eduart Shalsi, me një hartë Tirane në krah tij, krahasoi cmimin me atë të zonave përreth:

“Në 26 nëntor të vitit 2008 Sali Berisha dhe qeveria e tij kanë miratuar çmimet e trojeve që ndodhen në bashkitë e vendit, përfshirë këtu bashkinë e Tiranës. Ky është vendimi. Ky vendim për zonën ku ndodhet ish Ekspozita Shqipëria Sot ka përcaktuar një çmim prej 426 000 lekësh për metër katror. Por shikoni ç’ndodh, vetëm pak metra më tutje, në anën tjetër të Lanës po ky Sali Berishë ne te njejten dite me te njejtin vendim, ka përcaktuar një çmim tjeter, prej 1 200 000 lekësh për metër katror, pra tre herë më të lartë. Vetëm pak metra më tutje, pas Shallvareve, në zonën e pallateve të Aviacionit çmimi është po 1 200 000 lekë për metër katror. Tek rruga ‘Myslym Shyri’, vetëm pak metra prapa ish Ekspozitës po 1 200 000 lekë për metër katror”, tha Shalsi.

Ndërkohë deputeti Shalsi bëri bëri publik edhe një raport vlerësimi për pronën, të përpiluar nga një komision i ngritur nga ministri Ruli. Në raport lexohet: “Prona ndodhet në qendër të Tiranës, vetëm 750 m në jugperëndim të sheshit Skënderbej. Ajo vështë e vendosur në një nga zonat më të rëndësishme social-kulturore-administrative-politike- tursitike e fetare të kryeqytetit. Vendndodhja e pronës është shumë pozitive dhe e njohur nga vendas e të huaj. Kjo gjë bën që adresa e saj të krijojë një vlerë marketingu shtesë për këtë prone”.

Pas kësaj deputeti Shalsi bën disa pyetje akuzuese:

“A ka njeri që nuk kupton logjikën mbi të cilën është ngritur politika e çmimeve të trojeve nga kjo qeveri? Çfarë shpjegimi tjetër mund të ketë përveç interesave të oborrit të pushtetit që dikton çmimet jo sipas një logjike racionale tregu, jo në funksion të interesit publik, por thjesht e vetëm në funksion të interesave klienteliste e familjare të oborrit të Sali Berishës, thotë Shalsi.

Zoti Shalsi premtoi se në ditët në vijim do të zbardhen elementë të tjerë të kësaj afere që sipas Partisë Socialsite përbën provën e kapjes së shtetit nga pushtetarët dhe familjarët e tyre.

Top Channel