Në mes të muajit shtator, universitetet do të nisin fazën e regjistrimeve për vitin e ri akademik 2010-2011.
Shkollat e larta janë në pritje të shpalljes së listës së kandidatëve fitues. Edhe për këtë vit, pothuajse të gjitha fakultetet nuk do të aplikojnë kritere seleksionuese, por do të marrin në konsideratë pikë në total të fituara nga çdo nxënës. Rektori i Universitetit Politeknik, Jorgaq Kaçani, tha se u beson standardeve të maturës dhe se këtë vit ka rritje të kuotave të pranimit në këtë universitet.
Por, sipas tij, për ciklin master do të aplikohet një tjetër “formulë”. Universitetet jo vetëm që përzgjedhin kandidatët mbi bazën e kuotave të përcaktuara nga ministria, por nuk i japin diplomën studentit nëse gjatë viteve të masterit nuk mbron gjuhën angleze. Me ndryshimet në ligjin e arsimit të lartë anglishtja njihet vetëm nëse provimi zhvillohet me teste ndërkombëtare si Toefli apo të tjera. Aktualisht nuk është bërë ende e ditur se kur do të nisë zyrtarisht viti i ri akademik. Por si çdo vit, fakultetet hapin dyert për studentët fill pas mbylljes së provimeve të vjeshtës dhe regjistrimeve të fituesve, pra në fillim të muajit tetor.
Data 15 shtator do t’i japë fund ankthit të maturantëve, të cilët presin të mësojnë nëse janë ose jo fitues në njërën prej 10 degëve të tyre të preferuara. Sipas burimeve nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, thuhet se fituesit do të shpallen në mes të shtatorit, pasi në dhjetëditëshin e parë të këtij muaji do të zhvillohen konkurset e pranimit në Universitetin e Sporteve, në degën e Arkitekturës, si edhe në Akademinë e Arteve të Bukura.
Ndryshe nga përvojat e kaluara, këtë vit “sistemi” i fituesve do të kalojë në dy faza specifike. Faza e parë do të bëjë shpalljen paraprake, pastaj do të fillojë regjistrimi dhe në përputhje me fazën e dytë do të bëhen çregjistrimet aty ku dikush do të ngjitet më sipër, duke qenë se spostimi do të bëhet nga poshtë lart, nëse do të rezultojnë vende boshe.
Zëvendësimi i këtyre kuotave do të mbyllet përpara fillimit të vitit të ri akademik. Sivjet nuk do të ketë formularë të tjerë përveç Formularit A2, i cili përcakton preferencën, sepse të gjitha kuotat që do të teprojnë, studentët sipas radhës që kanë në listën më poshtë do të regjistrohen në mënyrë të drejtpërdrejtë pa pasur nevojë për procedura dhe formularë.
Këtë vit, sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, kanë konkurruar për në universitete rreth 30 mijë maturantë, ndërkohë që kuotat e pranimeve janë rritur me 10% më shumë krahasuar me një vit më parë.
Top Channel