Rriten cmimet e ushqimeve

31/08/2010 19:50

Cmimet e produkteve ushqimore po pësojne rritje dita-ditës. Madje, disa produkte kanë ndryshuar cmimin disa herë vetem brenda një muaji.

Veza, që është dhe produkti më i lirë në treg, kushton 15 lekë nga 13 lekë që kushtonte një javë më parë.

Po kështu, një litër vaj sot e blen me 220 lekë, ndërkohë që para një jave blihej me 190 lekë dhe në fillim të këtij muaji një litër vaj blihej me 160 lekë. Kanë pësuar rritje disa produkte të qumështit.

Një kg miell sot e gjen me 100 lekë, ndërkohë që para disa ditësh një kg miell kushtonte vetëm 70 lekë.

Disa produkte kanë pësuar rritje për shkak se shitësit dhe përfaqësues të firmave thonë se është rritur akciza e ambalazhit.

Me apo pa arsye, e gjithë barra ka rënë mbi qytetarët dhe rëndon më tepër tek ato familje me të ardhura të pakta, pasi rritja e cmimeve ka prekur produktet bazë të konsumit që për një familje të varfër zë rreth 70 për qind të shpenzimeve mujore.

Autoriteti i Konkurrencës thotë se po monitoron tregun për të verifikuar nëse kjo rritje po bëhet në mënyrë abuzive nga tregtarët, në bazë të marrëveshjeve që ata bëjnë me njëri-tjetrin, duke nxjerrë fitime në kurriz të konsumatorit.

“Në këtë rast kemi vërejtur një rritje sistematike të cmimeve. Nëse dy firma bashkëpunojnë dhe rrisin cmimin në bllok për të njëjtin produkt, konsumatorët ngatërrohen pasi nuk dinë se ku të shkojnë. Këto veprime janë shumë të dëmshme për konsumatorin dhe rritjen ekonomike. Për këtë arsye Autoriteti i Konkurrencës vendos ndëshkime shumë të forta, deri në 10% të xhiros vjetore”, deklaron Lindita Lati, zyrtare e AK.

Por hetimi i Autoritetit të Konkurrencës dhe ndëshkimi i abuzuesve vonon në kohë për shkak të procedurave. Edhe në rastet e ndëshkimit me gjobë, haset vështirësi për vjeljen e gjobave.

Ndërkohë që për të ruajtur konsumatorin dhe që tregu të funksionojë sic duhet, duhet të vihen në punë të gjitha strukturat shtetërore, duke nisur që nga doganat, tatimet dhe struktura të tjera që kontrollojnë cilësinë e produkteve në treg.

Top Channel