Në qarqet politike të Beogradit ka rënë një barrierë porsa i përket njohjes së mundshme të Kosovës si shtet i pavarur.

Edhe pse nga krerët serbë ka pasur dje përgënjeshtrime të forta, media të ndryshme kanë dhënë lajmin e një tërheqje të Beogradit. Sipas gazetës kroate “Novi List”, e cila citon burime pranë përfaqësuesve diplomatikë serbë, Presidenti serb, Boris Tadiç, do ta pranojë shtetin e Kosovës nëse plotësohen tre kushte: “eksterritorialiteti i manastireve ortodokse serbe në Kosovë, një status special për serbët në jug të lumit Ibër dhe vazhdimi i status quo-s për Veriun e Kosovës”.

E përditshmja kroate thekson se në prag të debatit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Serbia po i dërgon bashkësisë ndërkombëtare sinjale “të reja të ndryshme nga të mëhershmet dhe të papritura”. Në të njëjtën frymë kanë qenë dhe disa shkrime të botuara në disa media serbe. Por pas këtyre shkrimeve, ka dalë në një deklaratë publike kabineti i kreut të shtetit serb.

Presidenti serb, Boris Tadiç, kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës”, ka deklaruar Presidenca serbe. Ndërkaq, siç njofton agjencia e lajmeve “Tanjug”, Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, ka deklaruar në Uzhicë, një qytet në perëndim të Serbisë, se delegacioni i qeverisë së Serbisë do të udhëtojë për në Bruksel për të biseduar me përfaqësuesit e BE-së rreth Rezolutës mbi Kosovën, që i është paraqitur OKB-së.

Tadiç ka thënë se vërejtjet në Rezolutën e Serbisë për Kosovën nuk kanë ardhur nga institucionet e BE-së, por nga Ministritë e Jashtme të disa vendeve. “Serbia kurrë nuk do ta njohë Kosovën. Kjo është vija e kuqe, të cilën nuk do ta kalojmë”, ka saktësuar Tadiç në deklaratën para gazetarëve në Uzhicë dhe ka shtuar se për këtë i ka informuar liderët e vendeve perëndimore. “Këtë ia kam përcjellë WesterWelles, Clinton-it, Sarkozy-s dhe Merkel-it dhe këtë ua them të gjithëve”, ka thënë Presidenti i Serbisë.

Tadiç ka pohuar se asnjë politikan i huaj, asnjëherë nuk i ka thënë se njohja e Kosovës është kusht për hyrjen e Serbisë në BE. Ai ka pranuar se në tekstin e Rezolutës ka pasur vërejtje nga pesë vendet më të rëndësishme të BE-së, vendet e Quint-it dhe nga SHBA, kurse Rusia, Brazili, Kina, India dhe pesë vendet e BE-së, që nuk e kanë njohur Kosovën, nuk kanë pasur vërejtje. Ai ka thënë se qëndrimi vendeve të Quint-it nuk mund të injorohet, por Serbia nuk do të heqë dorë as nga Kosova, as nga BE.

“Konsiderojmë se Rezoluta jonë jep mjaft mundësi për kompromis. Po ashtu, konsiderojmë se askush nuk mund të jetë kundër negociatave, ka deklaruar Tadiç, duke shtuar se negociatat midis Beogradit dhe Prishtinës janë rast për zgjidhjen e konfliktit historik mes popullit shqiptar dhe serb. Serbia, sipas fjalëve të tij, do të vazhdojë luftën për Kosovën, edhe pse pas Mendimit të GJND-së janë shterur mjetet juridike.

“Luftën për Kosovën do ta vazhdojmë me rrugë diplomatike dhe paqësore”, është shprehur Tadiç. Presidenti serb dhe Kryeministri i Republikës Serpska, Milorad Dodik, e kanë quajtur të rrezikshme dhe kundërproduktive mungesën e qëndrimit të qartë të BeH-së mbi Rezolutën për Kosovën. Ndërkaq mësohet se autoritetet e Beogradit nuk do ta tërheqin rezolutën për Kosovën, të cilën e kanë dorëzuar në KB, por janë të gatshëm ta ndryshojnë dhe me siguri kjo do të bëhet në konsultim me Brukselin e Uashingtonin. Këtë e bëri të ditur dje e përditshmja serbe “Blic”. Sipas saj po shqyrtohet edhe opsioni i ndryshimit të tekstit me amendamente.

“Jemi të gatshëm ta ndryshojmë rezolutën, por pa shkelur vijat e njohura të kuqe”, citon burimin e saj nga kreu i pushtetit të Serbisë, gazeta “Blic”. Kompromisi do të mund të gjendej në fshirjen e një pjese të fjalisë hyrëse se ndarja e njëanshme është mënyrë e papranueshme e zgjidhjes së kontestit”.

Top Channel