Opsionet e dhëna nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave nuk dolën nga një analizë e bërë nga vetë njerëzit e këtij institucioni, por kjo gjë erdhi pas hulumtimeve të bëra në Prishtinë, Beograd, Tiranë dhe Shkup.

Në një intervistë për Top Channel, Naim Rashiti, drejtor për Kosovën i këtij Grupi shpjegon se ky hulumtim filloi në muajt e parë të 2010-ës edhe se për këtë u pyetën shumë njerëz.

“Kemi bërë mbi 250 intervista. Me të gjitha strukturat institucionale në Kosovë. Me strukturat institucionale politike dhe shoqërore, në Kosovë, në Serbi, në vende të rajonit, dhe me të gjitha qendrat e vendimarrjes ndërkombëtare”, është shprehur Rashiti.

Sipas tij, në Kosovë dhe Serbi ekzistojnë dallime për zgjidhjen e çështjes së Veriut.

“Qëndrimi i Institucioneve të Kosovës mbetet i njëjtë dhe është për zbatimin e planit të Ahtisaarit në Veri. Ajo që kemi gjetur në strukturat tjera të udhëheqjes dhe të strukturave politike të Kosovës është se ekziston një antagoni e madhe ndaj një modeli të një autonomie çfarëdo qoftë për Veriun. Madje kemi hasur në strukturat politike se, shkëmbimi i territoreve është më i preferueshëm se autonomia. Në Beograd dhe në Veri kemi hasur në kundërshtim ndaj çfarëdo forme të autonomisë. Qëllimi mbetet i njëjtë ndarja e Kosovës”, theksoi Rashiti.

Ai thotë se, dështimi i institucioneve për të futur veriun nën ombrellën kushtetuese të Kosovës në një të ardhme të afërt, do të shtyjë proçesin drejt zgjidhjeve të reja.

Sipas tij, kjo nënkupton prishjen e strukturës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e që Grupi Ndërkombëtar i Krizave e parasheh si zgjidhje të mundshme shkëmbimin e territoreve.

Top Channel