
Veprimtaritë për 100 vjetorin e lindjes së Nënë Terezës, për Kishën Katolike kulmuan me kremtimin e meshës në Laç të Vaut të Dejës, ku është ndërtuar, katedralja e parë shqiptare kushtuar Nënë Terezës.
Mesha është udhëhequr nga nunci apostolik në Shqipëri, Imzot Ramiro Molnar Ingles, i emëruar si përfaqësues i veçantë i papës Benedikti XVI-të në Shqipëri, për kremtimin e 100 vjetorit të lindjes së Nënë Terezës.
Në meshën kushtuar Nënë Terezës kanë marrë pjesë edhe dy nga përfaqësuesit me të lartë të shtetit shqiptar, kryeministri Sali Berisha dhe kryetarja e kuvendit Jozefina Topalli.
Për kryeministrin Berisha, kremtimi i ditëlindjes se Nënë Terezës është një ditë unike, pasi e gjithë bota sot nderon sakrificën e saj për njerëzit në nevojë.
“Ajo nderohet, sepse në një shekull që askush nuk i dha më shumë në këtë jetë qytetarëve të kësaj bote sesa shenjtorja e dhembshurisë dhe dashurisë njerëzore. Shenjtorët, profetët, kështu janë, një komb i lind, por ata i përkasin mbarë njerëzimit. E tillë është edhe Nënë Tereza”, është shprehur kryeministri Berisha.
Top Channel