Memoriali për Nënë Terezën

26/08/2010 19:40

Në ditën e 100 vjetorit të lindjes së humanistes, është prezantuar nga Fondacioni Kulturor “Nënë Tereza” projekti arkitektonik i memorialit dedikuar nobelistes shqiptare, që do të nisë të ndërtohet në fillim të vitit të ardhshëm tek Kollonat pranë sheshit Nënë Tereza.

Mes të pranishmëve ishin edhe presidentja e fondacionit Liri Berisha dhe Ministri i Kulturës, Ferdinand Xhaferaj.

“Për fondacionin ka dy arsye pse bëhet kjo: është një ndjesi për Nënë Terezën për mohimin që i është bërë gjatë diktaturës. Gjithashtu edhe për edukimin e vlerave të Nënë Terezës për të rinjtë se çfarë përfaqëson ajo”, është shprehur Liri Berisha, presidente e fondacionit kulturor “Nënë Tereza”.

“Ky memorial do të shërbejë si një qendër ku gjithësëcili do të hyjë dhe të mësojë më shumë për Nënë Terezën”, theksoi Ferdinand Xhaferaj, ministër i MTKRS-së.

Memoriali i Nënë Terezës, sipas projektit, do të ketë një sipërfaqe prej 1100 m2. Një pjesë e mirë e tij do të jetë prej xhami.

Ai do të përmbajë sallën e mikpritjes, ku do të vendoset një bibliotekë, një pikë informuese dhe një dyqan.

Një pjesë e memorialit do t’i rezervohet sallës së leximit.

Një tjetër hapësirë do te jetë për muzeun, ku do të shfaqen edhe dokumentarë mbi jetën e humanistes.

Projekti përmban edhe një kopësht rezervuar fëmijëve që do të vijnë t’a vizitojnë memorialin.

Në oborr do të zhvillohen shfaqje të ndryshme. Një pjesë tjetër është menduar për sallën e lutjes, ku do të vendoset edhe qilimi i lutjeve me motive shqiptare i Nënë Terezës.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta