
Përveçse nuk po shet dhe gjen rrugë të lira për zhvillim, sektori i ndërtimit duhet të përballet edhe me koston e lartë të materialeve të ndryshme.
Instituti i Statistikave (INSTAT), raportoi dje për rritje të kostos në sektorin e ndërtimit, me të paktën 0.2 për qind më shumë se viti i kaluar. Në tremujorin e dytë 2010, Indeksi i Kushtimit në Ndërtim arriti 128.69 për qind, duke shënuar një rritje prej 0.2 përqindësh kundrejt tremujorit të mëparshëm.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2009, Indeksi i Kushtimit në Ndërtim ka shënuar rritje me 0.2 për qind, kurse një vit më parë ky ndryshim ishte 0.04 për qind. Sipas INSTAT-it, indeksi i çmimeve të grupit “Shpenzime direkte” është rritur 0.3 për qind kundrejt tremujorit të mëparshëm, kurse indeksi i nëngrupit “Shpenzime materiale” është rritur me 0.4 për qind.
Në këtë tremujor, krahasuar me tremujorin e mëparshëm, çmimet e materialeve të ndërtimit dhe materialeve elektrike janë rritur përkatësisht me 0.4 dhe 2.7 për qind. Gjithashtu rritje kanë pësuar dhe indekset në nëngrupet “Shpenzime transporti” dhe “Shpenzime makinerie” përkatësisht me 1.4 dhe 0.2 për qind.
Mungesa e lejeve të ndërtimit është një tjetër faktor që ka ndikuar në krijimin e ngërçit në sektor, pa përmendur problemet me ligjet fiskale dhe vendimet për caktime çmimesh. Të paktën KRT e Tiranës ka më shumë se një vit që nuk jep leje ndërtimi, kurse çmimet në kryeqytet kanë kapur majat.
Top Channel