Vrasja e Librazhdit, “shpërngulet” dosja

24/08/2010 08:15

Autori i vrasjes së 28-vjeçarit Dritan Bardhoshi nga Librazhdi, pritet të dalë sot përpara togave të zeza për të marrë masën e arrestit.

Mësohet se dosja në ngarkim të Bledar Çelës, 43-vjeçarit të ndaluar si autor i dyshuar të vrasjes së 28-vjeçarit, do të çohet në një gjykatë tjetër dhe jo në atë të Elbasanit, për shkak të konfliktit të interesit që ka në këtë të fundit. Autori i dyshuar i ngjarjes është i vëllai i një gjyqtareje në Gjykatën e Faktit në Elbasan.

Sakaq, gjyqtarja Zamira Vyshka, ka konfirmuar se çështja i ka kaluar asaj paraprakisht deri në “kopsitjen” e dosjes, por nuk ka përjashtuar se kjo çështje mund të shqyrtohet në një gjykatë tjetër analoge me atë të Elbasanit. Burime konfidenciale nga Policia e Elbasanit kanë pohuar për “Shqip” se 43-vjeçari Çela, ka deklaruar se e ka kryer vrasjen në kushtet e gjaknxehtësisë.

Ngjarja ka ndodhur vetëm 15 minuta përpara mesnatës së të shtunës, në fshatin Bushtricë, të Komunës së Qukësit. Burimet zyrtare të policisë deklaruan se Bledar Çela, 43 vjeç, dhe Artan Bardhoshi, 28 vjeç, pas një grindjeje që fillimisht ka nisur me fjalë, ka vazhduar me dhunë fizike ndaj njëri-tjetrit.

Grindja ka shkuar në ekstrem për të përfunduar deri në përdorimin e armës së zjarrit. Të njëjtat burime saktësojnë se Bledar Çela, 43 vjeç, banor i zonës ku ndodhi ngjarja, ka qëlluar disa herë me armë zjarri tip pistoletë mbi 28-vjeçarin Bardhoshi, i cili si pasojë e plagëve të shkaktuara ka mbetur i vdekur në vend. Ngjarja ndodhi për xhelozi, pasi ish-e fejuara e 28-vjeçarit Bardhoshi, kishte krijuar një lidhje të re me Çelën. Autori është kapur brenda pak minutash pas ngjarjes, edhe pse Çela është orvatur t’u afrohet fshatrave kufi me Maqedoninë.

Ndërkaq paraditen e së dielës së kaluar, kur kortezhi me trupin e të riut 28-vjeçar ka marrë rrugën drejt varrezave të fshatit, një pjesë e të pranishmëve në varrim kanë bllokuar për rreth dy orë rrugën nacionale Përrenjas-Librazhd, rreth 200 metra poshtë fshatit Qukës.

Top Channel