Fier, procedohen abuzimet me pronat

24/08/2010 08:45

Komisioni i Verifikimit të Akteve të Marrjes së Pronësisë pranë institucionit të prefektit Fier ka gjetur mjaft probleme në ndarjen e pronësisë, sidomos në tokat që më parë kanë qenë nën administrimin e ish-Ndërmarrjeve Bujqësore.

Burime të gazetës “Shqip” nga komisioni tregojnë se abuzimet më të mëdha janë gjetur tek dy ish-ndërmarrje, atë të Libofshës dhe Patosit, për të cilat ka përfunduar procesi i verifikimit të akteve të marrjes së tokës në pronësi.

Dy ish-ndërmarrjet bujqësore që tashmë janë kthyer nën juridiksionin e njësive të qeverisjes vendore, përbëjnë dhe rastet më flagrante të abuzimeve të gjetura. Kështu janë gjetur raste abuzive të marrjes së tokës në pronësi, raste të përfitimit të tokës nga ana e disa personave të shpërngulur nga vende të ndryshme të Shqipërisë dhe që nuk kanë pasur lidhje me ish-ndërmarrjet apo dhe me sipërfaqet me toka bujqësore.

Të tilla raste janë gjetur mbi 20, edhe pse nga vendet kur kanë ardhur ata janë trajtuar me tokë. Ndërkaq janë zbuluar edhe raste të tilla kur përfitimi i sipërfaqes së tokës ka dalë disa herë më i madh se numri i anëtarëve të familjes që ka përfituar. Komisioni i Verifikimit të Akteve të Pronësisë në prefekturë në bashkëpunim me Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme po kryen verifikimin e çdo rasti abuziv dhe kryerja e procedurës rast pas rasti ka mundësuar heqjen e sipërfaqes së tokës të rasteve me shkelje ligjore. Ndërsa për disa prej familjeve, që kanë uzurpuar pa të drejtë tokë, ka pasur edhe denoncime pranë organeve të drejtësisë.

Top Channel