Fier, cdo ditë, mbi 600 kërkesa për certifikata

24/08/2010 11:55

Prej dy javësh, kaosi ka përfshirë zyrat e gjendjeve civile dhe aplikimit të kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike në qytetin e Fierit.

Fluksi i lartë i kërkesave për aplikime dhe për certifikata ka sjellë radhë të gjata. Punonjëset e shërbimit të gjendjeve civile janë shprehur se fluksi dhe radhët e krijuara i shtojnë edhe më shumë kërkesat e nxënësve të shkollave të të gjitha sistemeve që regjistrohen për vitin e ri shkollor, ndërkohë që nuk mungojnë sërish kërkesat e emigrantëve që aplikojnë për dokumentet e reja.

Mesatarisht brenda një ditë vetëm pranë zyrave të aplikimit në Fier kryhen deri në 250 aplikime. Ndërkohë që zyrat e gjendjeve civile vetëm në një ditë nxjerrin më shumë se 600 certifikata. “Në të gjitha zyrat e gjendjeve civile dhe të aplikimit, fluksi është i lartë.

Kjo pasi fundjava ka qenë me orare të reduktuara dhe përveç emigrantëve tashmë janë edhe nxënësit e të gjitha sistemeve arsimore që po pajisen me certifikata dhe me karta identiteti, si kusht ky për regjistrimin dhe riregjistrimin nëpër shkolla”, ka thënë përgjegjësja e gjendjeve civile për Fierin, Arta Prifti. Shtimi i kërkesave dhe radhëve në zyrat e aplikimit dhe gjendjeve civile ka shënuar kohëzgjatjen e qëndrimit të punonjësve në punë.

Gjatë ditëve të javës, punonjëset e gjendjeve civile ikin nga puna në orën 18:00, kurse të shtunë dhe diel ato punojnë me orar të reduktuar. Përballimi i radhëve bëhet edhe më i vështirë kur në mjediset e pritjes për një certifikatë apo për të aplikuar nuk ka sistem aspirimi dhe as ajrosjeje.

Top Channel