Apoloni, sërish zbulime

23/08/2010 20:30

Nëntoka e Apolonisë nxjerr një tjetër thesar. Këtë radhë ekspedita arkeologjike shqiptaro-franceze ka zbuluar një bust gruaje, të punuar me mermer dhe të skalitur me zbukurime, sidomos në pjesën e kokës.

Zbulimi është bërë  gjatë gërmimeve që po kryen ekspedita në sektorin “G”, në  pjesën e vilave romake, në parkun  arkoelogjik të Apolonisë së lashtë.

Busti është gjendur rreth 2 metra larg vendit ku u zbulua një tjetër bust i mermertë i cilësuar fillimisht si busti i një atleti dhe më pas i një aristokrati të periudhës romake.

Një nga bashkëdrejtuesit e ekspeditës, profesor Zhan Lyk thotë se ky është një tjetër zbulim i rëndësishëm në Apoloni.

Busti ka një dëmtim në pjesën e hundës dhe të veshit të majtë.

Ai është i punuar me mermer dhe ruhet në gjendje shumë të mirë të të gjitha elementët e buzëve, fytyrës dhe rregullimit të flokëve.

Madje në këtë të fundit dallohen qartë elementët e zbukurimit, gdhendja në formë gjarpri me ornamente të rralla të flokëve dhe mbulimi i kokës me këto zbukurime deri në pjesën e ballit.

Busti femëror i është nënshtruar tani studimeve përkatëse dhe pritet që gjithçka rreth origjinës, veçantisë, elementëve përbërës dhe gjithçkaje që fsheh ai do të bëhet publik pas disa ditësh.

Në qytetin antik, të Apolonisë brenda harkut kohor të disa ditëve, janë gjetur një statuje aristokrati, e cilësuar si gjetja spektakolare e 50 viteve të fundit, një këmbë prej bronzi  pjesë e një shtatoreje gjigande prej dy metrash dhe kjo e para e këtij lloji në Shqipëri si dhe një bust gruaje që  plotëson më së miri deklarimet e historianëve dhe arkeologëve për zhvillimin që ka ekzistuar në Apoloninë e lashtë.

Top Channel