Debatet për presidentin, reagon Biberaj

20/08/2010 19:45

Një javë më parë presidenti i Republikës ktheu për rishqyrtim në parlament ndryshimet në ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave.

Me një motivim të gjatë për deputetët, presidenti argumentonte, se sipas tij, ndryshimet e ligjit binin ndesh me Kushtetutën.

Fill pas kësaj, deputeti demokrat i Elbasanit, Luciano Boci, e cilësoi këtë refuzim si nervozizëm të kreut te shtetit dhe nje hakmarrje të tij ndaj mazhorancës, që votoi kundër dy kandidaturave të presidentit për Gjykatën e Lartë.

Por ky nuk ishte një rast i izoluar. Në fund të korrikut, deputeti demokrat i Durrësit Eduard Halimi e kishte akuzuar presidentin se kishte shkelur rëndë kushtetutën, duke mos emëruar kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, pas përfundimit që në muajin qershor të mandatit të kryetarit Vladimir Kristo.

Pa e tepruar, kjo është deklarata më e fortë e Partisë Demokratike kundër presidentit të Republikës, që kur ai u zgjodh në këtë detyrë 3 vjet më parë vetëm me votat e demokratëve.

Situata më e fundit tregon se në këtë trekëndësh, mes ish-aleatëve të dikurshëm beteja e nëndheshme tashmë është shfaqur hapur, një luftë politike dhe nervash, që ka gjasa të mos ketë argument vetëm Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë apo ligjin për pronat.

Herëpashere, në mbrojtje të presidentit të Republikës dalin figura të ndryshme, që shqetësohen për respektimin e pavarësisë së institucioneve kushtetuese.

Kësaj here, ish-deputeti demokrat Aleksandër Biberaj, i mënjanuar me bujë nga forumet drejtuese të Partisë Demokratike për shkak të opinioneve të tij, shqetësohet edhe për një këndvështrim tjetër: Partia Demokratike nuk e ka luksin të rrënojë figurat e saj më të mira:

“Kuptohet që këto sulme të lidershipit aktual të mazhorancës nuk janë as të moralshme, as etike, sepse kujtoj që zoti Topi ka qenë nënkryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë, ka qenë kryetari i grupit parlamentar dhe është një ndër personalitetet e kompletuara dhe me autoritet të së djathtës shqiptare. Kështu që krahas staturës së tij si president i Republikës, do të thosha që është një politikan i Partisë Demokratike që duhet respektuar, duhet parë edhe në këtë këndvështrim. Sulmi ndaj intelektualëve, sulmi ndaj personaliteteve mendoj që është një model i vjetër, model të cili i ka ikur koha. Sepse nuk është kollaj për një parti që të përgatisë presidentë dhe kryeministra. Po t’i referohemi edhe historisë 20 vjeçare, në 2 presidentë dhe 2 kryeministra kemi nxjerrë si PD. Njëri ka pasur 2 postet, kurse 2 të tjerët sot njëri është jashtë PD-së dhe tjetri sulmohet në mënyrë të pandershme, të pamoralshme dhe jo etike nga lidershipi i mazhorancës”, është shprehur Biberaj.

Ai thotë se sulmet ndaj presidentit nuk i shërbejnë as demokracisë, pasi ndarja e pushteteve dhe respekti ndaj institucioneve kushetuese është një ndër elementët bazë të demokracisë.

“Ndarja e pushteteve, respektimi i institucioneve të pavarura kushtetuese është një element themelor për demokracinë. Por fatkeqësisht kemi një model, kemi një filozofi për t’i sulmuar këto institucione. Nuk është vetëm institucioni i presidencës që sulmohet, por edhe institucione të tjera. Natyrisht që qëllimi është fare i qartë për t’i nënshtuar dhe për t’i njerrë jashtë loje këto institucione. Por nuk funksion demokracia kështu. Këto janë qëndrime antidemokratike”, theksoi Biberaj.

Top Channel